Homazhe për “21 Janarin”/ 14 vite nga krimi shtetëror, familjarët kërkojnë drejtësi

schedule10:09 - 21 Janar, 2025

schedule 10:09 - 21 Janar, 2025

Për të 14-tin vit rradhazi, socialistët përkujtuan këtë të martë katër protestuesit e pafajshëm të cilët humbën jetën në 21 janar të 2011, teksa i ishin bashkuar thirrjes së Edi Ramës për të marshuar kundër qeverisjes së Sali Berishës, në atë kohë në koalicion me Ilir Metën,  sot në burg, e me Lulzim Bashën ministër të brendshëm, sot pa parti.

Pas takimit në kryeministri me familjarët e 4 deshmorëve të Atdheut, zv kryeministrja Belinda Balluku, ministra, deputete e qytetare vendosen trendafila të kuq në pllakat e arta në Bulevardin Deshmorët e Kombit, aty ku plumbi i mori jetën Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt…

Edhe këtë 21 janar në fytyrat e familjarëve mbizotëronte trishtimi dhe heshtja…

Përshkak të axhendës ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në homazhe por në një mesazh në rrjetet sociale, tha se drejtësia vonon por nuk harron për këtë krim shtetëror.

Drejtësia e munguar thotë kreu qeverisë po njollos edhe vetë reformën në drejtësi.

“Edhe sot do t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj se SPAK-u nuk do të jetë edhe për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër, përveçse me 21 janarin, i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit dhe prandaj çdo vit që kalon, jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, po njollos edhe vetë Reformën në Drejtësi, duke poshtëruar, jo vetëm familjet e dëshmorëve të 21 janarit, po një popull të tërë që do drejtësi për 21 janarin dhe meriton drejtësi për 21 janarin sepse drejtësia për 21 janarin është një drejtësi, jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen”.

Një koment e kishte edhe për kritikët, të cilët e lidhin mosdhënien e drejtësisë me qeverisjen e tij. Pa partinë socialiste thotë Rama nuk do kishte as reformë e as Spak.

“Unë dhe ne, nuk kemi qëndruar duarkryq po kemi bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, për pavarësimin e saj nga pushteti politik për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë e për të gjitha. Pa Partinë Socialiste dhe mua në krye të saj, nuk do të kishte as Reformë në Drejtësi, as SPAK e as ndryshim të dukshëm tanimë të rrugës së drejtësisë, si ky që e shohin të gjithë ata që duan ta shohin, paçka se në rrugën e re të drejtësisë mund të ketë plot gjëra të kritikueshme, madje nganjëherë edhe të papranueshme”.

Me sytë nga drejtësia janë edhe familjarët, të cilëve vitet nuk ia kanë pakësuar dhimbjen mirëpo shpresa vijon të mbetët tek hetimet e thelluara të drejtësisë së re./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!