Një muaj pas përfundimit te mandatit si anëtare e Gjykatë Kushtetuese, Holta Zaçaj vijon të ushtrojë detyrën me të drejta të plota. Zaçaj ende del nga ky institucion si kryetare dhe anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa më 10 mars ajo duhet të dorëzonte Ձelësat e zyrës.
Por Kushtetuta, ndonëse e përcakton qartë përfundimin e mandatit të saj, i njeh një të drejtë, ajo ikën, ditën kur i gjendet zëvendësuesi. Dhe pasardhësi i Zacaj nuk po gjendet.
Gjykata e Lartë ka hapur procedurën e zëvendësimit të saj prej datës 11 dhjetor, kur njoftoi edhe përfundimin e mandatit të saj, më 10 mars.
Tre kandidatë janë skualifikuar nga gara për Gjykatën Kushtetuese, kurse 2 të tjerët, të cilët ishin të interesuar posaçërisht për vendin e Holta Zaçajt, u tërhoqën nga gara.I pari, Klodian Rado, kërkoi të tërhiqet nga kandidimi më 24 janar. Arsyet ishin familjare. Kurse kandidatja e dytë, Rezana Balla e cila ka qenë e interesuar po ashtu posaçërisht për vendin e Zaçajt, u tërhoq në ditën e fundit.
Ajo dorëzoi edhe dokumentacionet dhe formularët përkatëse, saktësisht në fund të muajit janar dhe po kalonte të gjitha filtrat. Pikërisht, në datën kur, Holta Zaçaj duhet të dorëzonte çelësat e zyrës së saj në Gjykatën Kushtetuese, znj. Balla njoftoi papritur se kërkonte ndalimin e kandidimit të saj, edhe kjo për arsye familjare. Ajo vendosi të lërë Gjykatën Kushtetuese, për të emigruar.
Kjo lëvizje e kësaj zonje, shpëtoi Zaçajn. Falë saj vijon të mbajë dy detyra, atë të kryetares dhe gjyqtares kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata e Lartë i tha AbcNews se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është në pritje të kandidaturave të tjera të interesuara, të cilat do të kalojnë po nga i njëjti proces. Deri më tani nuk ka asnjë kandidat konkret.
Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë vendosi të njoftojë përfundimin e mandatit të Holta Zaçajt më 10 mars të këtij viti, nga nisi dhe një përplasje.
Fill pas Gjykatës së Lartë, edhe Gjykatës Kushtetuese vendosi ti ndërpresë mandatin asaj, në të njëjtën datë. Zaçaj kërkoi të pezullojë procesin, duke iu drejtuar me një letër Komisionit të Venecias, por kërkesa iu rrëzua.
Por falë kësaj loje, Zaçaj mund të vijojë të luajë ende, një gjyqtare me afat të skaduar, që mund të marrë vendime në Gjykatën Kushtetuese.
Largimi i disa kandidatëve rresht, mesa duket nuk është rastësi. Ashtu siç nuk duket rastësi, ndryshimi i qëndrimit të gjykatës së lartë. E cila fillimisht nxitoi të kërkonte zëvendësimin e saj, por tani duket se ka ulur shpejtësinë. Me shpejtësinë, ka ulur dhe forcën e fërkimit dhe me inercinë mesa duket ka gjetur dakordësinë./abcnews.al