Holandë, arrestohet autori i atentatit ne stacionin e tramvajit

schedule22:40 - 18 Mars, 2019

schedule 22:40 - 18 Mars, 2019

Forcat speciale në Holandë kanë vënë në pranga autorin e sulmit të armatosur të ndodhur në Utreht. Autoritetet kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një shtetas turk, ndërkohë që ngjarjen e kanë klasifikuar si atentat terrorist.

Policia holandeze ka arrestuar autorin e atentatit me armë zjarri të ndodhur të hënën në qytetin e Utrehtit, ku për pasojë humbën jetën 3 persona. Sipas autoriteteve, agresioni, që la gjithashtu 5 persona të tjerë të plagosur, ka tiparet e një sulmi terrorist.

“Është një pistë që nuk mund ta përjashtojmë”, ka deklaruar shefi i seksionit të anti-terrorit, Pieter Jap Albersberg.

Në pranga ka përfunduar Gokmen Tanis, një 37-vjeçar me nënshtetësi turke. Arrestimi i tij është konfirmuar nga vetë shefi i policisë holandeze Rob Van Bre. Sulmi i ndodhur paraditen e së hënës bëri që në Utreht të mbylleshin shkollat dhe që masat e sigurisë të rriteshin. Policia nisi menjëherë punën për identifikimin e autorit, një foto e të cilit u publikua në rrjetet sociale, shoqëruar me rekomandimin drejtuar qytetarëve që të mos i afroheshin.

Gjithashtu, forcat e anti-terrorit kryen një seri bastisjesh përreth zonës ku u verifikua sulmi, në stacionin e tramvajit të Utrehtit. Në reagimin e tij, kryeministri Mark Rutte deklaroi se vendi ishte tronditur nga një sulm, të cilin ai e cilësoi si “shumë shqetësues”. Pas arrestimit të të dyshuarit situata ka nisur të kthehet në normalitet, me masat e sigurisë që janë zbutur, shërbimet publike që kanë rinisur dhe me bizneset që kanë rihapur dyert.

Utrehti është qyteti i katërt më i madh i Holandës, me një popullsi prej rreth 340 mijë banorë e ku niveli i kriminalitetit është i ulët dhe vrasjet me armë zjarri janë të rralla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!