Holanda, kualifikim dramatik në Ligën e Kombeve

schedule11:50 - 20 Nëntor, 2018

schedule 11:50 - 20 Nëntor, 2018

Holanda arriti një kualifikim dramatik për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Barazimi 2-2 në Gjermani erdhi pas një lëvizjeje taktike të trajnerit Ronald Kuman.

Epoka e re e premtuar u duk se nuk do të vinte. Në stadiumin e Gelsenkirshenit, Holanda po humbiste ndaj Gjermanisë dhe po shkonte drejt një eleminimi të papritur nga Liga e Kombeve, kur papritur diçka ndodhi. Virgil Van Dajk, mbrojtësi kryesor i skuadrës, papritur doli në sulm dhe shënoi golin e barazimit në sekondat shtesë. “Portokallinjtë” morën barazimin që u duhej, eleminuan Francën kampione të botës, dhe shkuan në katërshen e më të mirëve të këtij garimi.

Nuk shkuan kot heroizmat e mëparshme në grup, me fitoret e bujshme 3-0 ndaj gjermanëve dhe 2-0 ndaj francezëve. Tifozët mund të mbeten me shpresë se kjo është një rilindje, një kthim në kohën e Krujfit apo Van Bastenit, pavarësisht se ekipi i tyre i bëri me zemër. Gjermania kryesoi 2-0 në “Feltins Arena”, duke shënuar shpejt në pjesën e parë, e duke dominuar lojën për gati 80 minuta.

Me të drejtë gazeta “Algemen Dagblad” thekson:

Portokallinjtë vazhdojnë përpara. Holanda barazon me cinizëm dhe eleminon Francën në Ligën e Kombeve.

Gazeta “De Telegraf” po ashtu vlerëson golin e Van Dajkut që, sipas saj, bëri drejtësi duke i dhënë kualifikimin Holandës.

Trajneri Ronald Kuman u vlerësua si njeriu që fitoi ndeshjen. Fotografët zbuluan një copë letër, që ishte plani taktik i tij në minutat e fundit, duke nxjerrë në sulm pikërisht qendërmbrojtësin e Liverpulit, Van Dajk, atë që shënoi golin e kualifikimit.

“Ishte një kualifikim i merituar nga ana jonë, – tha Kuman pas ndeshjes, – e vërtetë që Gjermania na vuri në vështirë, dhe unë e prisja këtë plotësisht, por ne kemi meritën që nuk u dorëzuam deri në fund. Ishim skuadra më e mirë e grupit”.

Holanda u bashkua me Anglinë, Portugalinë dhe Zvicrën në gjysmëfinalet e nivelit A të Ligës së Kombeve, me titullin kampion që do të vendoset në qershor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!