Holanda nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 me Malin e Zi, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
Me këtë barazim “tulipanët” humbën një shans të artë për tu kualifikuar në Botëror, sepse në pjesën e parë kombëtarja holandeze po kryesonte 2-0, falë dy golave të Menphis Depay.
Mali i Zi arriti të shënonte dy gola në pjesën e dytë duke barazuar rezultatin 2-2.
Pas kësaj sfida i zhgënjyer është shfaqur kapiteni i Holandës, Virgil Van Dijk, i cili nuk nguroi të tregonte se ishte e tmerrshme mënyra se si “tulipanët” luajtën në pjesën e dytë.
“Mënyra se si luajtëm në pjesën e dytë është thjesht skandaloze. Të gjithë duam të mbajmë topin, të gjithë duam të luajmë futboll, të sulmojmë dhe të shënojmë.
Por, ne duhet të mendojmë edhe për fazën mbrojtëse të skuadrës. Lejuam shumë hapësira dhe ata na kapën në kundërsulm, kjo është e tmerrshme.
Me gjithë respektin për Malin e Zi, Holanda duhet ta kishte fituar këtë lloj ndeshje, aq më tepër nëse ndodhesh në avantazh të dyfishtë.
Ndoshta u dembelosëm disi. Duhet të ulemi e të bisedojmë me qetësi për atë që ndodhi, pasi të martën luajmë ndaj Norvegjisë në një stadium bosh”, deklaroi mbrojtësi i skuadrës së Liverpool.
Holanda aktualisht kryeson grupin G me 20 pikë, 2 pikë më shumë se rivalet e saj Turqia dhe Norvegjia. Sfidë delikate për kualifikimin do të luhet mes Holandës dhe Norvegjisë më 16 nëntor, ora 20:45, ku “tulipanët” duhet të fitojnë për të prerë ‘biletën” për në “Katar 2022”. /f.a/abcnews.al

