Hodhën lëndë piroteknike në fushë gjatë sfidës Partizani-Tirana, policia procedon tre tifozë

schedule12:35 - 7 Mars, 2023

schedule 12:35 - 7 Mars, 2023

Ditën e djeshme në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”, u zhvillua derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës, e cila përfundoi me fitoren e “Demave të Kuq”.

Situata në këtë derbi ndizet pothuajse gjithmonë, me tifozët e të dyja palëve të cilat krijojnë një atmosferë shumë të bukur, por ka edhe nga ato raste kur veprohet gabim, duke përfshirë dhunë.

Sfida e djeshme u ndalua për disa çaste, pasi në fushë janë hedhur lëndë piroteknike duke rrezikuar lojtarët në fushë dhe stadiumi u mbulua nga tymi. Për këto veprime, policia ka arritur të identifikojë tre persona si shkaktarë të hedhjes së lëndëve piroteknike. Për këta tre tifozë, ku njëri prej tyre i mitur, policia ka referuar materialet përkatëse në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për ta.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Xh., 21 vjeç, A. G., 27 vjeç dhe një shtetas 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve Partizani – Tirana, kanë kryer veprime të dhunshme, duke hedhur lëndë piroteknike, ndërsa shtetasi A. G. ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja. Policia vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe procedimin penal dhe administrativ, të shtetasve të tjerë kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë lëndë piroteknike, gjatë dhe pas ndeshjes./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!