Hjuston tregoi edhe një herë tjetër se përse është skuadra më e mirë e sezonit në basketbollin amerikan. Ekipi i udhëhequr nga kapiteni Xhejms Harden vendosi një rekord të ri.
Këtë modë e filloi Golden Stejti.
Kampionët në fuqi të NBA-së siguruan dy tituj dhe tri finale radhazi duke u mbështetur te koshat nga largësia, por tashmë stafetën e ka marrë në dorë një ekip tjetër.
Hjuston Rokits u bë skuadra që arrin më shpejt në kuotën 1000 kosha tripikësh në një sezon, në gjithë historinë e NBA-së. Kjo ndodhi në humbjen e pësuar në fushën e Torontos, veçse tendenca vazhdoi dhe e nxorri Hjustonin faqebardhë.
Formacionit të udhëhequr nga kapiteni Xhejms Harden iu deshën 65 ndeshje për të arritur shifrën 1 000, diçka që nuk e kishte bërë as Golden Stejti dhe asnjë ekip tjetër i madh i basketbollit amerikan.
Pasi vendosën këtë rekord, Harden dhe shokët e tij vazhduan festivalin e gjuajtjeve nga largësia në fitoren në fushën e Dallasit, duke realizuar edhe 17 tripikësha të tjerë.
Përveç Hardenit, dorë të saktë nga larg kanë edhe Erik Gordon, Kris Pol, Xherald Grin apo Pi Xhej Taker.
Tashmë, Hjustoni do të synojë të thyejë rekordin e një sezoni të rregullt në NBA, rekord që e vendosi vetë edicionin e kaluar me 1181 kosha të realizuar në 82 ndeshje.
Do të ketë në dispozicion edhe 16 ndeshje, dhe me mesataren që po tregon, nuk do ta ketë problem që të vendosë një rekord të ri.
Gjithsesi, synimi kryesor i skuadrës më të mirë të NBA-së këtë vit është fitorja e titullit kampion./abcnews.al