Pas një pritje të gjatë, filmi i shumëkërkuar i Freddie Mercuryit, liderit të grupit legjendar “Queen” pritet të vijë në kinematë botërore më 24 tetor.
Por ky projekt ka qenë goxha problematik për shkak se u nevojit rreth 1 dekadë që të finalizohej. Shpeshherë duke pasur mosmarrëveshje me anëtarët e mbetur të bandës me mënyrën se si do të trajtohej historia, madje duke pësuar edhe vështirësi regjisoriale. Tashmë roli kryesor i këtij filmit i është besuar aktorit Rami Malek. Ngjashmëria me vokalistin e njohur është cilësuar si e arrirë, por i gjithë realizmi është një thikë me dy presa për shkak se fansat e devotshëm të grupit do të vënë re me shumë vëmendje çdo imtësi të plotit, duke e bërë filmin lehtësisht të dështueshëm ose një sukses të pa masë. Kjo gjë vlen për tu parë.
E gjithë historia pati kontradikta të shumta për mënyrën se si do të trajtohej. Sugjerimi i parë ishte që të mbahej versioni ku filmi të vazhdonte edhe pas vdekjes së Freddie Mercury-t duke treguar se si banda u mundua që të mbante aktive karrierën e tyre. Por kjo gjë nuk u prit mirë nga kritika pasi askush nuk do të donte që të vazhdonte të shihte filmin pa prezencën e performuesit më të mirë të të gjitha kohërave. Pritshmëritë dhe kritikat janë të shumta për këtë realizim kinematografik. Fansat e të gjitha moshave do kenë më në fund mundësinë që të kridhen në retrospektivën e këngëve të pavdekshme të grupit legjendar Queen dhe ikonës së muzikës botërore Freddie Mercury./abcnews.al