Historia frymëzuese e mjekut/ Kote: Shërbej me përkushtim për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve

schedule20:06 - 22 Shkurt, 2025

schedule 20:06 - 22 Shkurt, 2025

Historia që vjen nga qyteti i vogël i Delvinës, është më shumë se frymëzuese.

Pak kush do ta mendonte se në këto vite kur mjekët e rinj shqiptar synojnë të punojnë në Bashkimin Europian, një mjek i ri do të shërbente me pasion në Delvinë.

Nikolin Kote, mjek urgjence mbërriti në spitalin Ismet Shushi me një bonus 6 mujor, nga Ministria e Shëndetësisë në korrik të 2023, për t’u rikthyer pak më vonë më synimin për të përmirësuar shërbimin për pacientët.

“Jam Nikolin Kote, jam këtu që prej korrikut të vitit 2023. Kur dëgjova që këtu kishte nevojë për doktor, aplikova përmes ministrisë dhe erdha këtu përmes një bonusi. Fillimisht qëndrova për 6 muaj , pas ndërprerjes së bonusit unë vazhdova prapë punën këtu u riktheva në shkurt të 2024-ës me dëshirën për të vazhduar e për të mos lënë asgjë pas nga ato që nisa”, tha mjeku i Urgjencës në Delvinë, Nikolin Kote.

Nisur edhe nga mosha mesatare e lartë që Delvina ka, spitali përballet me pacientë të shumtë , ndërsa mungesa e infrastrukturës e ka shtyrë Nikolinin të gjejë burime financiare edhe jashtë Shqipërisë.

“Spitali i Delvinës realisht ka shumë pacientë , janë popull që kanë sëmundje kryesisht kane patologjitë e mushkërive, kemi infarkte, kemi aksidente, minikirurgji deri në qershor të këtij viti ne kishim pavionin ku bënim konsulta. Normalisht që kemi mungesa të mëdha , mungesa në medikamente , mungesa në makina sepse i kemi të vjetra, mungesa në aparatura, mungesa në infrastrukturën e brendshme të spitalit.

Në muajt e kaluar të këtij viti, bashkia në Çeki, na ndihmuan dhe i pres të vijne sërish sepse kemi mbajtur kontakte. Realisht kemi bërë përpjekje që të shkojmë deri në Amerike, në Michigan një mjek shqiptar atje që do të na ndihmoj për të sjell ndihma në spitalin tonë. Unë do të shkoj atje janarin që vjen, edhe për të bërë një specializim edhe , për të marrë aparatura”, ka thënë mjeku u Urgjencës në Delvinë.

Mjeku 33 vjeçar me origjinë nga Korça  ka jo pak eksperiencë mbi shpatulla, me specializime e punësime jashtë vendit.  Në nisje të luftës në Ukrainë ai ka shërbyer si mjek lufte. Të gjitha këto përvoja e kanë bërë Nikolinin që të mos bëjë kompromis me cilësinë e shërbimit që u ofron pacientëve të tij.

“Kam qen në Ukrainë gjatë kohës që nisi lufta, mjek në beteja, kam gradën e mjekut taktik ushtarak , e kam marrë nga ministria gjermane. Mjek taktik ushtarak do te thotë të jesh mjek në fushëbetejë.  Fakti që unë kam parë dhe jam mësuar të punojë në atë lloj mënyre, më ka bërë që të kërkoj më shumë, të punojë edhe këtu për të marrë shërbimin njësoj të gjithë.  Sepse emergjenca ka ca rregulla, ka ca protokolle që nuk të lënë të falesh. Pikërisht kjo është edhe ideja se përse unë kam botuar edhe librin e parë në Shqipëri për protokollin e emergjencës përsa i përket barnave. Është ky libri këtu, është një libër xhepi , që është i ndarë në kategori medikamentesh. Ky përfshinë të gjitha fushat e emergjencës, është në librari dmth. Kemi bërë një dhomë të vogël kirurgjie, normalisht me syrin tim me atë që kam punuar jashtë nuk është më e mira , por normalisht që nuk bëjm kirurgji të mëdha sepse duhet anestezi, duhet salla operacionale të mëdha të cilat ne nuk i plotësojmë këtu, ne normalisht që bëjmë vetëm mikrokirurgji, trauma, plagë djegie”, shtoi ai.

Në Delvinë për mjekun e urgjencës qytetarët kanë krijuar simpati, e kjo vërehet kur ata e pyesin se si mund të kontribuojnë për spitalin.

“Populli i Delvinës më ka përkrahur , i kam gjithmonë pozitiv në mendime dhe në ndihma, psh më ka bërë përshtypje një ditë, kur më dëgjuan, që kisha mungesa medikamentesh, dhe njëri që unë i kisha kuruar gruan për infarkt bashke me një tjetër që edhe ai kishte qenë pacienti im , dhe vijnë e më thonë o doktor po si mund të dhurojmë ne ty lek që të mund të blesh medikamentet, për spitalin. Është diçka me të vërtetë shumë shume pozitive kjo gjë. Jo çdo medikament që ne përdorim mund ta gjesh në farmaci, por ata dhurojnë çfarë mundin. Është një gjë shume e mirë nga ky popull”, tha ai.

Edhe pse investon dhe ka ëndrra të mëdha për karrierën e tij, Nikolini është i kënaqur në spitalin e vogël të Delvinës dhe ndryshimet që sheh aty dita ditës i japin kënaqësi.

“Unë jam shumë i kënaqur nga ana profesionale që punojë këtu, por kam shumë mangësi, në infrastrukturë, medikamente e aparatura dhe qëllimi im është që ti minimizojë këto mungesa. Unë mund të punojë kudo , por aktualisht jam këtu dhe do të bëjë më të mirën për ketë qytet”, shtoi Kote.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!