Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.
Dokumenti me deklaratën e Myrteza Bajraktarit të bërë në vitin 1962 para organeve kompetente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi ai kishte kaluar ilegalisht kufirin shtetëror, duke ardhur nga Jugosllavia në Shqipëri.
Deklaratë
I nënshkruemi Myrteza Bajraktari i biri i Fariut dhe i Remzijes, i datëlindjes 1933, lindur në Gostivar dhe banues kohët e fundit në Shkup të Jugosllavisë, me kombësi Shqiptare dhe me shtetësi Jugosllave.
Deklaroj se me datën 17/6/1962, me dëshirën time, kam kaluar në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe lutemi organeve kompetente të Shqipërisë, të më japin strehim politik.
Rabdishtë, me 17-6-1962 Emri, Emri i babës Mbiemri
(Myrteza Fari Bajraktari)
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajraktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kapter Sali Shatri, në ‘Qendrën e Infiltrimit të shtetasve jugosllav’ në Shijak, më 20 korrik 1962
PROCES – VERBAL
Shijak me 20/VII/1962
Unë hetuesi i Ministrisë Punëve të Mbrendshme, kapter Sali Shatri, mora në pyetje thyesin e kufirit, shtetasin Jugosllav Myrteza Bajraktarin, i cili deponoj:
Pyetje: Na trego mënyrën si do të ndërlidheni me shokët tuaj në Gostivar nga Shqipëria?
Përgjigje: Ndërmjet bisedave të tjera që kemi pasë me shokët e mi, për përgatitjen e një kryengritje, kemi bisedue edhe për ndërlidhjen tonë të ardhshme nga Shqipëria. Bisedat tona për këtë qëllim nuk e kemi komplikue, çdo letër e shifrueme dhe me parullën t’onë, pa marrë parasysh se kush do ta dorëzojë atë, do të jetë ligje edhe si mbas sajë do të punohet.
Shifra e parulla jonë, do të jetë prona ma e çmueshme që duhet të ruhet, si bebja e synit. Shokët e mi janë të bindun se Sigurimi prej çdo qoshe vështron dhe se asht i aftë, që ndërlidhjen t’onë ta bëjnë të pa dukshme për armiqtë t’onë.
Shokët me të cilët pata mundësi të bisedoj për ndërlidhjen tonë të ardhshme nga Shqipnija janë:
Mevaip Halil Purde nga Gostivari, i lindun më 1936, të kryeme 8 vjeçaren, elektriçist, (momentalisht pa punë), në burg ka qenë 6 vjet si kundërshtarë i shpërnguljeve dhe i ç’kombtarizimit të popullit Shqiptare, qëndrimin të shkëlqyer në burg, i torturuam dhe i izoluem shumë herë.
Mehmet Gega (Myrtezani) nga Tetova, i lindur 1934, me arsim të mesëm, (normale), me profesion arsimtarë (momentalisht pa punë) në burg 7 vjet, si kundërshtarë i regjimit Jugosllav, organizator i një grupi patriotësh që përpiqen për bashkimin e tokave të okupueme me Shqipërinë.
Qëndrim të shkëlqyeshëm në burg, vazhdimisht i torturuem, i izolum dhe i hedhun në punë ma të rënda, gjatë gjithë 7 vjetëve. Si Mevaip Purdeja ashtu edhe Mehmet Gega, janë ushtar me përvojë (me eksperiencë) kanë marrë pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare.
Abdyrahim Taravari, nga Gostivari, i lindur 1932, student i Teknikes, momentalisht arsimtar në shkollën Teknike të Gostivarit. Organizator i grupit të studentëve që u dënuan vitin 1956, në Gostivar, Tetovë e Prishtinë, si kundërshtarë të regjimit Jugosllav, qëllimi i organizatës: Bashkimi i tokave të okupueme me Shqipninë. Në burg ishte 7 vjet, në fillim qëndrim të luhatshëm ndaj armikut, në hetime i torturuem ma tepër prej të gjithëve. Ma vonë ka pasë qëndrim të mirë. Kam arsye të kem besim të plotë.
Ilmi Dervishi, nga Gostivari, i lindur më 1931, me arsim të mesëm (Normale) me profesion arsimtarë, në hetime ka qenë 21 ditë, asht burgosë me rastin e ardhjes në Katundin Vrutok të Gostivarit të Titos. Nxënësit e Ilmiut janë të frymëzuem me ndjenja patriotike Shqiptare. Tetë nxënës të Ilmiut, në verë të vitit 1959, tentuan të arratisen në Shqipëri, në këtë rast prap Ilmiun e muarën në hetime. Asht patriot deri në vetëmohim, vetëm shumë i kujdesshëm dhe i gjindshëm për çdo situatë.
Parullën tone: “Bashkim ose Vdekje” dinë të gjithë shokët e naltë përmendun. Me Mevaip Purden për parullën dhe shifrën kam bisedue qysh në burg, edhe mbas lirimit tonë nga burgu në muajin Fruer të vitit 1962. Me Mehmet Gegën, për parullën tonë dhe për shifrën, kam bisedue në muajin maj të vitit 1962. Me Abdyrahim Taravarin, kam bisedue në muajin qershor të vitit 1962. Me tërë këta shokë të lartpërmendur, shifra e jonë asht “Myrtezani” 123456-789.
Çdo germë që ekziston në shifrën tonë, zëvendëson me numrat përkatës, kurse germat që nuk ekzistojnë, zëvendësohen me germat e nevojshme për të shkrojtun fjalën e duhun. Për me nda fjalën prej fjale, përdoren gërma që nuk ekzistojnë në alfabetin tonë. U edhe O. P.sh. në rast se duam të shkruajmë “Nisemi për në Tetovë” – do të zëvendësojmë me shifrën tonë. –“895519 UP 530 850 U 4540V50.
Kurse me Ilmi Dervishin, kemi lënë shifrën “Shporetina e cila është e njëjtë në të radhitunit e fjalëve. Abdurahim Taravari, më propozoi që ai të shkonte në Turqi, të shpërngulet me rrugë legale dhe atje të lidhet me Legatën e Shqipnisë.
Çdo direktivë që do të marrë nga legata për çështjet tona. Të dërgon Ilmi Dervishin me anë të Turisëve që përherë janë në qarkullim. Mirë po unë thashë se ti je i nevojshëm këtu, e ndërpremë na bisedën në lidhje me këtë.
Ai këtë e arsyetonte me rrezikun e ndërlidhjes direkte me Shqipninë. Dhe më tha se në rast se shokët dakordohen me këtë, atëherë e shkruaj sa më parë një letër motrës sate, ku ndërmjet tjerave të pyesësh për kushëritë e tu në Turqi. Kurse vetëm për parullën tone: “Bashkim ose Vdekje”, dinë Raif Maleziu dhe ndërlidhësi, Hamdi e Ismet Ajdini.
Datë ekzakte për takimin tonë me ndërlidhësin nuk kemi pasë lanë, as që kemi bisedue ma herët se si do të kemi kontakte, sepse deri në ditën e fundit të arratisjes sime edhe ndërlidhësit ishin të pregatitur të arratisen bashkë me mua.
Biseda për ndërlidhje kemi bë, mbasi hymë nja 100–150 m. në tokat e lira. Biseda e jonë ish kjo: Para datës 1 Gusht të vitit 1962, në vendin e quajtur _______6-7km. brenda në tokat e okupueme ku, qysh prej kohërave të kalueme, gjendet një gropë gëlqereje (prej nga kaluam edhe ne), të dërgoj dy automatë e dy revole.
Këto armë t’i vemë në gropën e madhe të gëlqeres, duke grupue brenda edhe një letër ku të shkruaj “Me datën…….të gjendesh në vendin, ku u ndamë me parullën t’onë, “Bashkim ose Vdekje”, ndërlidhësit me siguri do të vinë, brenda në tokat e lira të Shqipërisë. Në këtë mënyrë mund të bëhet takimi me ndërlidhësat e mijë.
Pyetje: Na thoni çfarë ka dijeni shoku juaj Bekteshi, në lidhje me vendimin tuaj për kryengritje në Gostivar, si dhe për kërkesat që juve i keni bërë qeverisë Shqiptare, në lidhje me kryengritjen?
Përgjigje: Bektesh Ismaili, nuk din kurgja në lidhje me vendimin t’onë dhe kërkesat për pregatitjen e kryengritjes në Gostivar. Ai nuk din, natyrisht, as shokët me të cilët kam bisedue në lidhje me kryengritjen.
Bekteshi din vetëm se arratisja e ime asht në lidhje me pregatitjen e një kryengritjeje në Gostivar.
THYESI I KUFIRIT Kapterr (Sali Shatri)
Myrteza Bajraktari
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajkaktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kapiten Sali Shatri, në ‘Qendrën e Infiltrimit të shtetasve jugosllav’ në Shijak , më 5 gusht 1961
PROCES-VERBAL
Shijak me 5/8/1962
Unë hetuesi i Ministrisë Punëve të Mbrendshme, Kapiten Sali Shatri, mora në pyetje thyesin e kufirit, shtetasin Jugosllav, Myrteza Bajraktari, i cili deponoj:
Pyetje: Na tregoni gjeneralitetet dhe biografinë tuaj?
Përgjigje: Quhem Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Remzijes, i datëlindjes 1933, lindur në qytetin e Gostivarit, dhe banues po në Gostivar, me kombësi Shqiptare dhe shtetësi Jugosllave, me arsim të mesëm (Pedagogjike) me profesion arsimtar, shtresë e vobektë qytetare, i divorcuar, pa fëmijë, pa parti, shërbimin ushtarak të pa kryer, i dënuar dy herë në Jugosllavi, për çështje politike, herën e parë dënuar në vitin 1953, herën e dytë në vitin 1960.
Nga gjuhët e huaja, di jugosllavishte me shkrim e me gojë, maqedonishten me shkrim e me gojë dhe Turqishten me gojë dhe pak me shkrim.
Pikëpamjet politike të babait kanë qenë përparimtare, ishte në sektin e Bektashive, ka qenë person që të gjithë neve fëmijëve na ka shkollue, biles edhe vajzat. Ka qenë njeri që e donte kombësinë e tij si Shqiptar.
Unë në shtatorin e vitit 1951, shkova mësues në katundin Duf. Me një herë mbasi shkova në detyrën e mësuesit, në krye të javës thirrem në Seksionin e Arsimit dhe kërcënohem nga shefi i Arsimit, Ilija Iljevaski (tash shefi UDB-së në Dibër), i cili më tha se ti po përhap nacional-shovinizmin në nxënësit dhe në popull. Unë nga kjo u tremba dhe u konsultova me babën dhe shokët e mi dhe pruna vendimin, me dhanë dorëheqjen nga detyra.
Dorëheqja nuk mu pranua. Por mbas disa ditësh ishin ftue të gjithë arsimtarët në mbledhje dhe unë u ftova si i akuzuar para gjyqit disiplinor. Këtu më akuzuan si i pa disiplinuar, si shovinist që kam përhapur shovinizmin ndër nxanësit e mi, si person që kam ftue edhe maqedonasit të shkojnë në shkolla Shqipe e plotë të tjera.
Përfundimisht më dënuan me 1 vit me privim pa të drejtë të ushtroj asnjë punë shtetërore dhe nga arsimi përgjithmonë.
Në Gusht të vitit 1952, kam shkue në Shkup dhe atje kam kërkue me u fut në Teatrin e Pakicave si aktor. Me qenë se kishim arsim të mesëm, më pranuan me një herë si aktor dhe më dhanë rolin e “Shpendit” të librit “Sikur të isha djalë”. Mbas dy muajve duke bërë provën gjenerale, më përjashtuan nga teatri, me motivacionin se: isha i dënuar nga Gjyqi Disiplinor në Gostivar, me privimin e punës shtetërore për 1 vit dhe se karakteristika e mia janë të këqija.
Me datën 11 Janar 1953, u martova me një vajzë që quhet Meliha Mërdita, punonte arsimtare në katundin Sllupçan të Kumanovës, kjo ishte nga Gostivari. Mbas martesës time me Melihanë, të nesërmen në orën 11.00 të datës 12/1/1953, duke qenë në restorant, u arrestova nga UDB-ja në Kumanovë.
Akuza ime ishte, sepse kishim zhvillue aktivitet kundra shkollave turke, kishim dashtë të arratisem për në Shqipëri, kisha propogandue në Kumanovë që të vinë fëmijët prej shkollave turke në shkolla Shqipe, kisha lexue nxënësve historinë nacionale, si dhe se kisha formuar organizatën ilegale.
Këto akuza, në fakt ishin të vërteta, por i përkasin të kaluarës, me përjashtim të organizatës që ishte e formuar qysh në vitin 1951, por që UDB-ja s’dinte gjë për të deri tash që më burgosën.
Gjatë kohës prej 7 muajve e disa ditëve në hetime nën presionin dhe torturat e UDB-së, unë pranova çdo gjë që më akuzonin. Pranova se kam formue organizatën ilegale në Gostivar, në vitin 1951, së bashku me Xhamal Pasharonin dhe se kemi bisedue me ja vu emrin organizata “Shkëndija”. Nuk pranova në asnjë mënyrë asnjë aktivitet të organizatës si dhe shokët e tjerë, që bënin pjesë në organizatë.
Më 7 shtator 1953, u dënova nga gjykata e Shkupit (Qarkut) me gjyq të hapet, me tre vjet burg. Mbas 23 muajve, në burg më komunikuan nga drejtoria e burgut, se dënimi im shtohet edhe dy vjet. Në këtë mënyrë unë e bëra dënimin 5 vjet. Jam lirue nga burgu i Idrizovas më 12/1/1958.
Mbas lirimit nga burgu në vitin 1958, unë munda të hyjë në punë në ndërmarrjen “Prolet”, të tregtisë si nëpunës. Më pas u kjo ndërmarrje u mbyll dhe unë fillova punë në ndërmarrjen tregtare “Korab” në Gostivar, si referent i zyrës kredis. Këtu kam punue deri me datën 8-9/V/1960, kohë që tentova të arratisem, për në Shqipëri.
Në datën 12 qershor 1960, Hakik Luma, më përcolli deri në afërsi të kufirit, ai më la në një pyll dhe vetë u kthye, duke më tregue drejtimin në malin e Korabit se nga do të shkoja. Në mbrëmjen e 13 Qershorit, unë u nisa drejt malit dhe ngaqë se njihja rrugën, u takova me disa stan barinjsh që ishin në një stan shtetëror, aty i rrethuar nga qentë dhe barinjtë, më kapën dhe të nesërmen, më nisën për në Gostivar.
Me tu kthyer në Gostivar u dënova nga gjykata e rrethit Tetovës, me 4 vjet burg. Gjykim im u bë me dyer të hapura. U dënova me akuzën tentim arratisjeje për Shqipëri.
Mbas një muaji në burgun e Tetovës në dhomën Nr.3, më dërguan në burgun e Idrizovës, jam liruar nga burgu më 20 janar 1962, lirim me kusht që të mos e përsëris më gabimin. Memorie.al