Historia e Olayinka, nigerianit që luftoi me të ftohtin dhe varfërinë

schedule13:57 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 13:57 - 11 Dhjetor, 2019

Një ëndërr e përjetuar dhe që nuk e kishte menduar ndonjëherë. Peter Olayinka po jeton në një tjetër botë. Nga rrugët e Nigerisë, provoi Shqipërinë, Qipron e Veriut, Belgjikën dhe tani luan në Çeki me Slavia Prague. Që në sezonin e parë fitoi titullin kampion, ndërkohë që sivjet e pa vetën në fushë kundër Lionel Messi, duke dueluar me Gerad Pique dhe duke i shënuar Interit në “San Siro”. Vetëm në TV i kishte parë këta futbollistë.

“Na u mohua një fitore në minutën e fundit me Interin dhe mund të kishim mposhtur Barcelonën në ‘Camp Now’. Gjashtë vite më parë isha duke i parë nga TV-ja në Nigeri  lojtarë si Lionel Messi, Romelo Lukaku, Gerard Pique dhe Witsel. Ka qenë diçka e pabesueshme të luaj kundër tyre në Champions League”, shprehet Olayinka, në një intervistë të dhënë për “BBC“. Rrëfimi i tij vazhdon.

Artikulli i BBC për Peter Olayinka

 

TRANSFERIMI NË SHQIPËRI – “Jeta ime ka qenë plot me ulje-ngritje për të ardhur deri në këtë pikë, por tani jam këtu dhe e kaluara më shërben si karburant për të shtuar dëshirën time të shtyj përpara. Në vitin 2012 arrita në Shqipëri me këpucët e mia të futbollit, me shpresa të mëdha dhe ëndrra. Nuk dija asgjë për Ballkanin, ishte shumë ftohtë, ndihesha i vetëm dhe i paaftë për të komunikuar. Ishte shumë e vështirë, por dëshira për të luajtur futboll në Europë më mbante ngrohtë zemrën time. Nuk doja të kthehesha në Nigeri si një dështak”.

100 DOLLARRËT –  Bylisi ishte skuadra e parë e sulmuesit. “Kur shkova në Shqipëri, luaja për ekipin e të rinjve të Bylisit dhe merrja 100 dollarë në muaj. Pagesat vonojnë dhe ndonjëherë duhen javë derisa sa t’i marrësh. Nuk isha i lumtur dhe doja të fitoja më shumë. Vazhdoja të shtyja veten, sepse e dija që në Europa doja të isha. Isha i apasionuar dhe i dedikuar për ta vënë karrierën time në rrugën e duhur”, shton Olayinka.

“Kishte pritshmëri nga familjarët dhe miqtë e mi, por nuk mund t’ua plotësoja kërkesat. Ato 100 dollarë ishin gjithçka që kisha, derisa të merrja pagesën tjetër. Jeta ishte e çmendur në aspektin financiar. Gjithsesi pse dhe kujt t’i ankohesha. Doja vetëm të ikja jashtë Nigerisë”, shprehet sulmuesi nigerianin, i cili ka debutuar edhe me kombëtaren e tij, në një miqësore luksi kundër Brazilit të Neymar & Co.

KALIMI TE SKËNDERBEU DHE RACIZMI – Olayinka u bë çështje në Shqipëri, pasi FSHF e dënoi për shkak se kishte nënshkruar me dy klube. “Lajmi ishte në të gjitha televizionet shqiptarë, që raportonin që unë isha marrë peng nga drejtuesit e një klubit tjetër dhe kundër dëshirës time (qesh). Ajo që ndodhi ishte kjo: Kukësi mendonte se kishin një marrëveshje verbale me ne, por unë nënshkrova me Skënderbeun në mes të natës. Ishte një rrëmujë e vërtetë”, kujton 24-vjeçari.

Në disa vende të Europës ka pasur episode të ndryshëm racizmi ndaj lojtarëve afrikanë, por Olayinka thekson se në Çeki, por edhe në Shqipëri më parë, njerëzit e kanë respektuar. “Çekia është shumë më mirë se vendet e tjera, pasi këtu ka shumë të huaj dhe është një vend shumë miqësor. Po mësoj gjuhën ngadalë, veçanërisht termat që lidhen me futbollin. Kurrë nuk kam përjetuar racizëm këtu, ose në Shqipëri. Njerëzit thonë gjëra për vendet e tjera, por unë mund të flas vetëm për ato që kam përjetuar vetë. Shqiptarët dhe çekët i mbështesin jashtëzakonisht shumë lojtarët me ngjyrë”, ka përfunduar Olayinka. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!