Historia e emigrantit që la pas bombat: Të kërcesh në Francë, apo të vdesësh në Siri

schedule12:07 - 23 Mars, 2021

schedule 12:07 - 23 Mars, 2021

Nga Anelise Borges, euronews

Për Doradon të shkonte në Francë  për të kërcyer ishte një ëndërr. Për ta realizuar, atij iu desh të humbiste gjithçka nën bombat e luftës siriane.

Gjatë luftës në Siri, gjysma e popullsisë u desh të linte qytetin, fshatin ose vendin e tyre. Miliona njerëz  kanë migruar për t’i shpëtuar luftimeve dhe dhunës. Në dhjetë vite luftë vlerësohet se 1.4 milion njerëz kanë mbërritur në Europë.

 

Një udhëtim i gjatë, është ai i balerinit  31-vjeçar Dorado,  i cili  u largua nga vendlindja e tij në Damask menjëherë pasi filloi konflikti.

“Kur mbërrita në Paris, eca për tetë orë, pa u ndalur. Nuk mund ta besoja, i përsërisja vetës: A jam vërtet në Francë? Nuk e besoja.

 

Të largohesha ishte një zgjedhje e detyruar: “Në lagjen time, Yarmuk, një avion hodhi një bombë. Dhe njëra prej tyre  ishte kaq afër meje…. Çfarë duhet të  bëja? Mund të qëndroja dhe të vdisja ose të largohesha … ”

I plagosur nga bomba, Dorado niset në një udhëtim fillimisht në Liban, Iran, Turqi, dhe pas dy muajsh mbërriti në një kamp refugjatësh në Greqi.

Më pas ai shkoi në Kroaci por policia e ktheu përsëri në Serbi.

“Në atë moment isha i humbur, nuk dija çfarë të bëja. Kështu që hyra në Bosnjë dhe u ktheva në Kroaci. Më pas shkova në Slloveni. Në Slloveni policia më pyeti nëse doja të qëndroja si refugjat dhe unë u përgjigja: jo, unë dua të shkoj në Francë.

Pastaj ata më kthyen në Kroaci dhe nga Kroacia përsëri në Serbi “.

 

Një luftë e pafund

Ndërsa Dorado u zhvendos nga një vend në tjetrin, dukej se fundi i dhimbshëm për të nuk kishte fund.

Gjatë dekadës së kaluar, përpjekjet e shumta për të gjetur një zgjidhje të konfliktit sirian kanë dështuar. Nga iniciativat e nisura nga Lidhja Arabe te bisedimet e ndërmjetësuara nga Rusia, OKB dhe Kazakistani, asgjë nuk ka funksionuar.

Dhjetë vite dhe mijëra viktima, Siria mbetet një vend i ndarë në një zonë të kontrolluar nga regjimi në jug, një territor i administruar nga Kurdët në verilindje dhe një zonë e pushtuar nga opozita e mbështetur nga Turqia në veriperëndim, raporton abcnews.al

 

Ndërkohë, udhëheqësi  që njerëzit donin ta rrëzonin nga pushteti jo vetëm që mbeti i paprekshëm, por ka konsoliduar fuqinë e tij përmes një sistemi të ndërlikuar aleancash me fuqitë e huaja të gatshme të kërkojnë favore në këmbim të mbështetjes së dhënë në vitet e fundit.

Një kosto që Bashar al-Assad  beson se ia vlen të paguhet në mënyrë që t’i japë fund viteve të konfliktit duke e shpallur veten fitues.

Sipas Dorado, “Askush nuk e ka fituar këtë luftë. Ne kemi humbur shumë. Unë kam humbur shumë miq. Kam humbur edhe kushëririn tim. Të gjitha familjet në Siri kanë humbur dikë të rëndësishëm , përfundoi ai”. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al