Festa e ndërrimit të viteve do të përjetohet ndryshe në familjet e prekura nga tërmeti. “ABC News” ishte në Manzë në familjen e Xhemal Tolës, i cili ngeli në qiell të hapur pas tërmetit të 26 nëntorit, por pavarësisht kësaj rikthehet çdo ditë në shtëpinë e tij ku rrit gjelat që do t’i dhurojë për tryezën e fëmijëve të tij.
Nata e ndërrimit të viteve do të vijë e trishtë dhe ashtu siç nuk e kishin imagjinuar për të gjithë familjet që nga tërmeti i 26 nëntorit humbën njerëzit e tyre të dashur apo banesat ku kishin investuar gjithë jetën. Xhemali është 78 vjeç dhe jeton në Manzë. Pas 26 nëntorit, shtëpia e tij u shpall e pabanueshme. E pavarësisht kësaj, ai ka gjetur arsyen për t’u rikthyer çdo ditë në atë godinë. Gjelat e detit që kishte nisur të rriste prej 6 muajsh, vijon t’i rrisë për të kaluar festat e fundvitit me fëmijët e tij.
“I kam për fëmijët gjelat”,shprehet ai.
Kur sheh muret e dëmtuara rëndë, kujton sakrificat që iu deshën për ta ndërtuar atë shtëpi dhe pamundësinë që do të ketë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme.
“Ça të bëj me 100 mijë lekë pension”
Shpresat i ka te zoti ndërkohë që sytë i ka drejtuar vetëm tek qeveria.
“Shpresa te zoti”, thotë ai ndër të tjera.
Këtë fund dhjetori, këto gjela janë e vetmja arsye që e sjell Xhemalin në shtëpinë e tij, ndërkohë që pas 26 nëntorit u zhvendos në shtëpinë e djalit të tij ndërkohë që vetëdijen për situatën e vështirë e ka për çdo familje që këtë fundvit do ta kalojnë në çadër.
Në natën e ndërrimit të viteve thotë se gotën do ta ngrejë me urimin që zoti mos i vërë më kurrë në të tilla sprova si ajo e një muaji më parë./abcnews.al