KOSOVË- I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojë sot para Kongresit Amerikan. Ai i ka dërguar një dokument Kongresit për zhvillimet dhe perspektivën e rajonit.
Në fokus të raportit është vënë situata në Kosovë dhe nevoja e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit me Serbinë. Këto marrëveshje përfshijnë edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hisen Berisha, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, tha në “Ballkan Update” se Escobar do të raportojë në Kongres duke nxjerrë Serbinë si burimin e konfliktit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kjo qasje shtoi Berisha shkon në favor të Kosovës.
“Theksohet dhe vihet në pah, që Serbia shihet si një platformë dezinformimi dhe atë e bën me direktiva nga Kremlini, është identifikuar edhe burimi i konflikteve në rajon, qoftë në tensionnet në Kosovë, qoftë në Bosnjë. Konsiderohen këto dezinformime si burim i të gjitha përplasjeve, tensioneve ndëretnike, që siç i thekson Escobar në raport”, tha ai.
Ai u shpreh se Escobar ka kërkuar vazhdimisht që të gjendet një zgjidhje, por duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Ne e dimë tashmë se që nga fillimi, Escobar ka kërkuar një zgjidhje që duhet të ishte bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe e dyta është se në raportimin e tij në Kongres, merr edhe përkrahjen e Kongresit, por mund të marrë edhe atë mbështetje politike, por edhe kufizimet e nevojshme”, shtoi ai.
Gjatë bisedës, deputeti i PDK-së kritikoi veprimet e qeverisë së Kosovës dhe tentativat e saj për të ngritur një frymë antiamerikane në vend. Ai theksoi se Kongresi Amerikan do ta detyrojë qeverinë dhe kryeministrin të bëjë kthesë dhe të kthehet në normalitet.
“Është munduar, që këtu në Kosovë, pozita aktuale të krijojë një frymë pakenaqësie dhe ka arritur të nxisë një lloj antiamerikanizmi, dhe kjo është e gabuar. Kongresi Amerikan nuk do të lejojë përkeqësime. Do ta detyrojë këtë kryeministër dhe këtë qeveri, që të kthehet në normalitet dhe në zbatimin e marrëveshjeve, të cilat kanë kaluar në filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al