Në mbledhjen e shtatë të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Elbasan u arritën disa marrëveshje, por më të rëndësishmet lidhen me lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve në dyja anët e kufirit. Kontrollet fizike në doganë do të zhduken për t’u zëvendësuar më kamera për të monitoruar lëvizjet. Në fjalën e tij pas firmosjes së marrëveshjeve, Edi Rama ka sqaruar si do të jetë procedura për këtë pikë, por edhe paktet e tjera. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se procesi për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve ka marrë një tjetër ritëm.
“Dy qeveritë kanë përcaktuar në buxhetin e vitit 2022 një fond dhe kanë dakordësuar për ngritjen e ekipit të përbashkët të punës për projektin e hekurudhës Tiranë-Prishtinë. Duke të nënvizoj marrëveshjen për doganën. Eliminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë në të gjithë sektorët dhe në rastin konkret operimi i përbashkët në doganën e Durrësit është kyç.
E treta regjimi i ri doganor në kufi duke pasur parasysh domosdoshmërinë dhe ministrat kanë rënë dakord për një sistem monitorimi me kamera, pa kontrolle fizike duke e bërë kufirin krejtësisht fluid dhe në mbyllje dua të nënvizoj edhe atë që është objektiv i përbashkët jo vetëm i dy qeverive, për të shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta, kemi Milanon, Mynihun. Duam të krijojmë sa më shumë hapësirë të përbashkëta. Një godinë, një hapësirë dhe këto para që shkojnë për shpenzime të dyfishta të kanalizohen për punë me atë që ministritë kanë si detyrë funksionale për diasporat përkatëse.
Është takimi i shtatë, një pjesë e marrëveshjeve janë zbatuar, procesi ka marrë një ritëm të ri. Albin faleminderit për mundim për të ardhur deri këtu, do të kishim dashur t’ju prisnim me diell, por mbase shiu që po insiston është një ogur i mirë për bereqet për qëllim e përbashkët që është bashkimi dhe intensifikimi i sa më shumë të gjithë hapësirës dhe ndërveprimeve mes dy shteteve për të synuar ta kthejmë kufirin në një formalitet në atë që na përcakton në dy shtete të ndryshme dhe jo si mur” tha Edi Rama./ Abcnews.al