Hiqet aboneja e përgjithshme për 3 muaj, arsyet e vendimit

schedule19:25 - 29 Maj, 2021

schedule 19:25 - 29 Maj, 2021

Qytetarët në Tiranë nga qershori deri në gusht nuk do të kenë mundësi të përdorin abonenë e përgjithshme prej 1600 lekësh për të udhëtuar me linjat urbane në kryeqytet.

Të hënën Këshilli Bashkiak pritet të miratojë heqjen e saj.

Kjo pasi nga 1 qershori bashkia do të riorganizojë itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik, por për këtë duhet të studiohen paraprakisht volumet e udhëtimit.

Operatorët thonë sipas projektvendimit  se ato janë në nivele minimale pasi pandemia e  ka vënë në vështirësi transportin publik.

Për të dalë në konkluzione të sakta, sipas relacionit, do të duhet heqja e abonesë së përgjithshme.

Kështu që për tre muajt në vijim për të lëvizur në Tiranë qytetarët duhet të paguajnë biletën e cila vetëm për një udhëtim kushton 40 lekë.

Ata që përdorin autobusët urbanë vetëm  për të shkuar dhe për tu kthyer nga puna duhet te paguajnë 80 lekë në ditë. /Abcnews.al