Himara mirëpret rekordin “Guinness”/ Rekord i ri botëror nga zhongleri Agim Agushi

schedule20:45 - 3 Maj, 2025

schedule 20:45 - 3 Maj, 2025

HIMARË- Qyteti bregdetar i Himarës është bërë skena e një momenti të jashtëzakonshëm, duke hapur zyrtarisht sezonin turistik me një rekord botëror të vendosur nga një emër i njohur në arenën ndërkombëtare të sportit të veçantë: Agim Agushi.

Atleti kosovar, i njohur për performancat e tij unike në fushën e zhonglimit me top, ka arritur të thyejë rekordin e tij të 16-të në librin Guinness, duke sjellë për herë të parë këtë sukses në zemër të bregdetit shqiptar.

Në një performancë të zhvilluar në sheshin qendror të Himarës, mes duartrokitjeve të turistëve dhe banorëve të shumtë të zonës, Agushi ka arritur të zhonglojë topin me kokë, duke mbajtur ekuilibrin dhe ritmin e saktë, teksa kishte veshur njëmbëdhjetë bluza njëra mbi tjetrën.

Veçantia e këtij rekordi qëndron në faktin se gjithçka është realizuar brenda një hapësire shumë të kufizuar – vetëm 1 metër katrorë– çka e bën sfidën edhe më të vështirë dhe spektakolare.

Kryetari i Bashkisë së Himarës, i cili ndoqi nga afër performancën, e vlerësoi këtë moment si një nismë simbolike për një sezon të mbushur me aktivitete dhe energji pozitive.

Me këtë arritje, Agushi ka lënë pas rekordin e mëparshëm të mbajtur nga polaku Dariusz Kolodziczyk duke shtuar edhe një tjetër sukses në listën e gjatë të performancave të tij, që përfshijnë rekorde të zhonglimit me top në kushte ekstreme dhe kohëzgjatje të pazakonta.

Ky moment shënon një hap të parë të fortë për sezonin veror 2025 në Himarë, ku pritet një axhendë dinamike me aktivitete kulturore, sportive dhe artistike, duke e pozicionuar qytetin si një prej destinacioneve më të preferuara në jug të vendit/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!