Higuain shpëton Milanin

schedule14:07 - 21 Shtator, 2018

schedule 14:07 - 21 Shtator, 2018

Skuadrat e mëdha arritën fitore në ndeshjet e para të Ligës së Europës, por jo të gjitha bindën. Milani e Çelsi e patën tepër të vështirë.

Gjithnjë pritet shumë nga ky ekip, në çfarëdo gjendjeje që të ndodhet.

Kur thua Milan kujton 7 Champions të fituar në histori, veçse kjo nuk u dha të kuptohej në Luksemburg, në sfidën e parë në Ligën e Europës.

Përballë një ekipi shumë më tepër modest si Dudelange, italianët u shpëtuan nga sulmuesi i tyre kryesor, Gonzalo Higuain, që shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Gjithsesi, Milani nuk shkëlqeu aspak dhe trajneri Gattuso pati kritika edhe për vetë Higuainin, duke e këshilluar të ishte më i shkathët në sulm.

Aspak e lehtë edhe për Lazion, që nuk arriti ta mbyllte ndeshjen siç duhet ndaj Apollonit të Limasolit në “Olimpiko” të Romës.

Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, nuk u aktivizua këtë herë, duke iu dhënë shansi Protos, ndërsa italianët u dukën si përgjumësh.

Luis Alberto i kaloi përpara në minutën e 14, por u desh të pritej deri pranë fundit për të siguruar fitoren, me golin e sulmuesit numër 1, Çiro Immobile, që u hodh në fushë si zëvendësues.

Gjithsesi, nuk përfundoi me aq sepse qipriotët shkurtuan shifrat në 2-1 dy minuta më pas me golin e Zelajës.

Po këtu, në grupin H, ndodhi një nga rikthimet më emocionale në Ligën e Europës.

Eintracht i Frankfurtit provoi përsëri një ndeshje kontinentale pas plot 1.666 ditësh.

Kanë kaluar 4 vjet, por pritja u shpërblye me një fitore jo edhe aq të zakonshme.

Sukses 2-1 i gjermanëve në fushën e një ekipi pretendent, siç është Olimpiku i Marsejës nga Franca.

Lukas Torro dhe Luka Joviç ishin autorët e golave për miqtë, duke përmbysur avantazhin e vendasve, arritur që minutën e 3 me anë të Okamposit.

Frankfurti, fitues i Kupës së Gjermanisë, përballoi edhe inferioritetin numerik, që nga minuta e 59 kur Vilems doli me karton të kuq.

Sukses, ndërkaq, për skuadrat angleze, siç ndodhi thuajse për të gjithë emrat e mëdhenj.

Arsenali triumfoi në fushën e vet, në Londër, ndaj ekipit ukrainas të Vorsklës së Poltavës.

Sulmuesi Obamejang shënoi dy gola, në një stadium gjysmë të boshatisur dhe Arsenali arriti deri në avantazhin 4-0, por këtë avantazh nuk e mbajti dot deri në fund.

Miqtë i dhanë paksa shpresë vetes me rrjetat në minutat e fundit me autorë Çesnakovin dhe Sharparin.

Çelsi po ashtu ia doli, por me shumë më tepër vështirësi.

Blutë e Londrës të udhëhequr nga trajneri Sarri, fituan minimalisht 1-0 në fushën e PAOK-ut të Selanikut, ku goli i brazilianit Uillian I nxorri pa dëme nga një ambient tepër armiqësor në Greqi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!