Gonzalo Higuain u prezantua si lojtar i Milanit. Sulmuesi argjentinas shpreson të fitojë tituj edhe me skuadrën milaneze, pas sukseseve me Realin, Napolin dhe Juventusin.
Kjo ishte dita e së vërtetës.
Gonzalo Higuain që prezantohej tek Milani ishte lajmi Ii ditës në Itali, madje ndër më të rëndësishmit në Europë, dhe sulmuesi nuk zhgënjeu në paraqitjen e parë si kuqezi.
Në krah edhe të Matia Kaldarës, sulmuesi argjentinas u shpreh shumë I lumtur për aventurën e re.
“Jam këtu pasi të gjithë më deshën dhe besuan tek unë, – u shpreh ai, – më kërkoi Leonardo, dhe po ashtu trajneri Gatuzo, ndërsa tek Çelsi më donte vetëm Sarri, për të cilin kam respekt të jashtëzakonshëm”.
Përse largim nga Juventusi?
Kampionët e Italisë duket se kanë vënë bast gjithçka për Ronaldon, dhe donin të rregullonin bilancet.
Gjithsesi, Higuain falenderon klubin juventin, edhe pse pohon se pati mendime të ndryshme për futbollin në krahasim me trajnerin Alegri.
Sulmuesi 30-vjeçar do të kërkojë të arrijë suksese të tjera pas atyre me Realin dhe Juventusin.
Ai ka shënuar gati 300 gola në karrierë me klubet dhe është shpallur 3 herë kampion i Spanjës dhe dy herë kampion i Italisë, si dhe ka fituar kupën me këto skuadra, si dhe me Napolin.
Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, ndërkaq, ndihet i lumtur që skuadra e tij po merr përforcimet e duhura.
Më parë, kroati Ivan Striniç, tani Higuain e Kaldara, pra potenciali është rritur për të pretenduar të paktën kualifikimin për në Champions, pse jo edhe titullin. /abcnews.al