Duele gjigandësh priten në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ndryshimi i rregullave nga UEFA mund të sjellë të papritura në shortin që hidhet sot në Montekarlo, në orën 18:00.
Mund të ketë përplasje spektakolare nga ky short i çuditshëm. Championsi pret të mësojë ndarjen e skuadrave në grupe, në zgjedhjen e goglave që do të bëhet në Pallatin Grimaldi në Montekarlo sot në orën 18:00, dhe rregullat e ndryshuar, pritet të sjellin diçka të veçantë.
Reali i Madridit do të jetë në vazon e dytë, për herë të parë në dekada dhe mund të vendoset në një grup me ekipe të tillë si Liverpuli apo Interi. Edhe pse madrilenët janë 13 herë kampionë të Europë, madje kanë fituar 3 nga 4 edicionet e fundit, sërish ata u zbritën në kategori nga rregulli i ri i UEFA-s.
Ky rregull parashikon që në vazon e parë të jenë ekipet kampionë të Championsit dhe Ligës së Europës, dhe po ashtu ekipet me koeficient më të mirë në 6 ligat e para të kontinentit deri në vitin 2018.
Kjo do të thotë se më të privilegjuarit do të jenë Liverpuli, Çelsi, Barcelona, Mançester Siti, Bajerni, Juventusi, Paris SG e Zeniti i Shën Peterburgut. Kampionët e Rusisë bënë shaka për këtë fakt, me një postim në rrjetet sociale.
“Ja klubi që të gjithë e duan në short, – shkruajtën ata në Tuiter, – Zenit Shën Peterburg, Rusi, lindur në 25 maj 1925”.
Në tri vazot e tjera klubet u ndanë në bazë të koeficientit të UEFA-s të vitit 2019. Në vazon e dytë, bashkë me Realin janë edhe Atletiko, Dortmundi, Napoli, Totenhemi apo Ajaksi.
Në të tretën, ekipe të tillë si Interi, Valencia, Lioni apo Leverkuseni, ndërsa emra më modestë janë në vazon e katërt, Lajpcig, Crvena Zvezda, Lokomotiv Moskë, Atalanta apo Gallatasaraj.
Favorit për fitimin e Championsit jepet Mançester Siti, ndjekur nga Barcelona, Liverpuli e Reali./ABC News Albania 24/7