Ditën e sotme është hedhur shorti për të përcaktuar gjyqtarët për rigjykimin e Saimir Tahirit dhe ish-drejtuesit të policisë së shtetit, Jaled Çela. Dosja e Saimir Tahirit në Apel do të gjykohet nga Daniela Shirka që është kryesuese, anëtare Ilirjana Olldashi dhe anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Fillimisht nga shorti rezultoi se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi. Gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështje (për faktin se është shprehur më parë duke qenë gjyqtare e seancës paraprake), heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Nisur nga kjo, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi. Anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor” njofton gjykata.
Dy javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.
Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.
SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja rikthehet edhe njëherë në Apel./Abcnews.al