Hetoi presidentin e zgjedhur Donald Trump, jep dorëheqjen prokurori Jack Smith

schedule22:47 - 11 Janar, 2025

schedule 22:47 - 11 Janar, 2025

SHBA-Prokurori Special, Jack Smith, i cili ka hetuar Presidentin e  zgjedhur Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen të premten nga Departamenti i Drejtësisë, raportojnë mediat amerikane.

Kjo lëvizje ishte e pritshme, shkruajnë mediat, përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të bënte betimin më 20 janar.

Ai ka përfunduar punën e tij mbi dy hetime penale ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Raporti pritet të publikohet në vazhdim, ndërsa Trump i ka mohuar akuzat.

Lajmi për largimin e Smith u bë i ditur në një dokument të dorëzuar nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë në Gjykatën e Qarkut të SHBA-ve, drejtuar gjyqtares Aileen Cannon, të shtunën pasdite.

Në këtë dokument, ata i kërkuan asaj të mos zgjasë urdhrin që ajo lëshoi javën e kaluar, i cili bllokonte publikimin e raportit përfundimtar të Smith, dorëzuar drejtuesve të departamentit të martën.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë argumentojnë se urdhri i gjyqtares Cannon tejkalon autoritetin e saj dhe se ajo nuk ka kompetencë të ndalojë Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland, nga publikimi i gjetjeve të Smith.

Trump shpesh pati deklaruar se në rast se vjen në krye të Shtëpisë së Bardhë do ta shkarkonte “brenda dy sekondave” prokurorin special, Jack Smith i cili ka akuzuar Trumpin për përpjekjet e tij në përmbysjen e procesit zgjedhor të 2020-s dhe keqpërdorim me dokumente të falsifikuara.

Smithka mbajtur postin edhe të kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndërsa në nëntorin e 2022-s, Smith kishte braktisur detyrën në Hagë, për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara me qëllim që ta hetojë Trumpin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!