Hetimi ndaj Llallës/ Avokati: Nuk kemi dijeni

schedule15:36 - 16 Prill, 2018

schedule 15:36 - 16 Prill, 2018

Adriatik Lalla nuk është vënë në dijeni zyrtarisht për ndonjë hetim të nisur ndaj tij, ndonëse Prokuroria e Durrësit ka regjistruar prej një muaji një procedim penal ndaj tij dhe ka ngritur 4 akuza. Eshte avokati i Llallës, Sokol Hazizaj, që deklaron për mediat se mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

Prokuroria e Durrësit ka plot një muaj që po heton dyshimet për kryerjen e disa veprave penale nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë dijeni për këtë hetim.

“I jam drejtuar prokurorisë së Durrësit. Nuk më kanë njoftiuar për ndonjë procedim, apo fillim hetimi në disfavor të të mbrojturit prej meje”.

Sipas Hazizajt, mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

“Sa kohë që në cilësinë e mbrojtësit ligjor nuk kam marrë informacion për nisjen e një procedimi penal, apo hetimi ndaj shtetasit Adriatik Llalla nuk mund të them që ka nisur procedim penal. Kjo është rruga ligjore. Çdo dyshim mbi këtë e çon procesin në parregullsi”.

Nga ana tjetër Prokuroria e Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht për ABC neës regjistrimin e procedimit penal të Prokurorisë së Durrësit ndaj ish-kryeprokurorit Llalla. Burime zyrtare të këtij institucioni saktësuan se procedimi penal ndaj Llallës mban numrin 447 dhe është regjistruar në 15 Mars 2018.

Ish-kryeprokurori po hetohet për katër vepra penale, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë”, “mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim të produktee të veprës penale” dhe “shpërdorim të detyrës”./abcnews.al