Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Log.”, në Abc me gazetarin Endri Xhafo i është përgjigjur një postimi të analistit Lorenc Vangjeli i cili shkruan se “Meta me sul in e tij ndaj kreut të SPAK po e skualifikon këtë të fundit nga hetimet për inceneratorët.”
Meta theksoi se SPAK ka pasur mbështetje të madhe nga LSI dikur dhe nga Partia e Lirisë sot, por drejtësia është nën presion.
Pjesë nga biseda:
Vangjeli: Aksioni i LSI-së për denoncimin e asaj që quhet skandali i inceneratorëve është shumë herë më i rëndësishëm se çfarëdolloj proteste që mund të bëhet. Duke e pritur SPAK-un si një aktor që mund të ndryshijë ngjyra apo raporte me forcat politike në Tiranë, vlen më tepër të pritet se çfarë do të ndodhë se sa të margjinalizohet SPAK-u.
Xhafo: A po e skualifikoni SPAK-un përmes denoncimit që po i bëni kreut të SPAK?
Meta: Partia që unë drejtoj sot ka qenë mbështetësja më e vërtetë e SPAK. Një pjesë e shumë arritjeve edhe në denoncimin e inceneratorëve janë rezultat e denoncimeve konkrete që janë çuar në SPAK. E kam thënë dhe e them që hetimet kanë ecur me hapin e breshkës, korrupsioni në këtë aferë vazhdon me hapin e kangurit, ne vazhdojmë çojmë denoncimet tona, e dimë që ata janë në presion të vazhdueshëm. Për rastin konkret SPAK për çdo hetim që ka kërkesë është i mirëpritur të hetojë dhe askush nuk e pengon. Por, nuk është mirë që të përdoret një institucion i tillë për të prodhuar lajme për zyrën e Fugës. SPAK-un e kualifikon ose e skualifikon puna e tij.
/Abcnews.al/