Prela udhëzoi dërgimin e “Toyota Yaris” në gjykatë, togat e zeza e kthejnë për rihetim

schedule12:57 - 29 Tetor, 2019

schedule 12:57 - 29 Tetor, 2019

Dosja e 3.4 milionë eurove të gjetura në Toyota Yaris do të kalojë serish për rihetim në organin e akuzës. Drejtuesja e Krimeve të Rënda kishte kërkuar dërgimin e çështjes në Gjykatë, por togat e zeza kërkuan plotësim të dosjes dhe vazhdim të hetimit.

Gjykata për Krimet e Rënda kthen për hetime të mëtejshme dosjen “Toyota Yaris”, për të cilën drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela udhëzoi prokurorët që të bëjë komunikimin e akuzës 4 të pandehurve dhe të dërgojnë çështjen për gjykim.

Në shkresën e firmosur me 11 Shtator, Prela u kërkon dy prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Eneid Nakuçi që të dërgojnë dosjen për gjykim. Duke shkelur ligjit për funksionimin e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, pasi në nenin 48 pika 3 thuhet, se drejtuesi i prokurorisë mund t’i udhëzojë prokurorët e çështjes vetëm për mbarëvajtjen e ecurisë së procedimit.

Dosja e 3.4 milion eurove ka shkaktuar debate gjatë seancës paraprake  pasi Gjyqtari Fran Prendi, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes për gjykim, me argumentin se hetimet janë të paplota.

Rikthimi i dosjes për rihetim nga gjyqtari Prendi kishte të bënte me dy akte të reja që prokuroria i kishte marrë nga Belgjika dhe Italia, por që  ende ishin të papërkthyera. Gjithashtu burime konfirmojnë se prokurorët dhe gjyqtari kanë debatuar për faktin se nga ana e organit të akuzës nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.

Të arrestuar janë Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Edi Lika, Klevi Lika dhe të shpallur në kërkim Alfred e Elvis Vladi, të akuzuar për sjelljen në Shqipëri të 3.4 mln eurove me “Toyotat Yaris”. Për këtë çështje po zhvillohen hetime në Shqipëri dhe në Belgjikë. Alfred dhe Elvis Vladi, dy vëllezërit që janë në kërkim për dosjen kanë dijeni për ngjarjen dhe në gjykatë ishin të përfaqësuar me avokatë mbrojtës./ABC News Albania