OKB ka kërkuar një hetim mbi vdekjen e ish-presidentit egjiptian Mohamed Morsi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në sallën e gjyqit. Për Kombet e Bashkuara, gjatë periudhës së burgimit Morsi është mbajtur në kushte çnjerëzore.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për kryerjen e një hetimi të pavarur mbi vdekjen e ish-presidentit egjiptian Mohamed Morsi. Ish-lideri 67-vjeçar ndërroi jetë ditën e hënë pasi humbi ndjenjat në sallën e gjyqit, ku po gjykohej për akuza spiunazhi. Në një deklaratë, zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Rupert Kolvill i kujtoi Egjiptit detyrimet e tij për të trajtuar të burgosurit në mënyrë humane dhe apeloi për një proces hetimor. “Prej kohësh ka patur shqetësime në lidhje me kushtet e burgimit të zotit Morsi, përfshirë këtu aksesin në medikamentet e nevojshme për shëndetin, si dhe tek avokati dhe familjarët e tij”, deklaroi Kolvill.
Ai nënvizoi gjithashtu se gjatë burgimit 6-vjeçar ish-presidenti ishte mbajtur për një kohë të gjatë në regjim izolimi.
Mohamed Morsi ishte presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, por ka qenë nën arrest që nga rrëzimi nga pushteti në vitin 2013. Prej kohësh familjarët e tij kishin ngritur shqetësimet për trajtimin e tij në burg dhe të martën deklaruan se autoritetet kishin hedhur poshtë kërkesën që ai të varrosej në qytetin e lindjes. Ai u varros në një zonë në lindje të Kairos në orët e para të së martës, nën masa të rrepta sigurie. /ABC News Albania 24/7