Hetim për trukim të sfidës ndaj Dinamo Zagreb, reagon klubi i Ballkanit

schedule22:58 - 31 Mars, 2024

schedule 22:58 - 31 Mars, 2024

Klubi i Ballkanit ka reaguar zyrtarisht në lidhjen me hapjen e një çështjeje nga prokuroria Themelore e Prishtinës që ka nisur një hetim me dyshime për trukim në lidhje me sfidën e Conference League mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit, e luajtur në 5 tetor 2023 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe e fituar me rezultatin 2-0 nga kampionët e Kosovës.

Klubi i Ballkanit në komunikatën e shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetet sociale shpreh indinjimin për cenimin e imazhit teksa në komunikatë shkruhet:

“Është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të FC Ballkanit nga disa lajme që sot po qarkullojnë nëpër media dhe rrjete sociale. Jemi të indinjuar me atë se çfarë po tentohet të hidhet ndaj nesh, ndaj punës tonë shumë vjeçare, e cila në vete bartë sakrificën dhe mundin e të gjithë aktorëve brenda klubit, që me djersë punuan pafundësisht, që të arrijmë nivelet ku e kemi ngritur futbollin tonë dhe atë shtetëror.

Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë. Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik.
Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë. Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë.”

Në këtë mënyrë klubi i Ballkanit jo vetëm këmbëngul në pafajësinë e tij, por shprehet i gatshëm për të ndihmuar hetimin i bindur për të pastruar emrin e tij nga aludime apo insinuata të pabazuara./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!