Heshtje në Hong Kong në prag të përvjetorit të 34-të të protestave në sheshin Tiananmen

schedule23:41 - 2 Qershor, 2023

schedule 23:41 - 2 Qershor, 2023

Ndërsa 34-vjetori i shtypjes së protestave pro-demokracisë në sheshin Tiananmen të Kinës po afrohet (të dielën), shumë banorë në Hong Kong po përpiqen ta shënojnë këtë ditë në mënyra private, nën hijen e një ligji që ndoqi penalisht shumë aktivistë të lëvizjes pro-demokratike të qytetit.

Për dekada me radhë, Hong Kongu ishte i vetmi vend në Kinë ku zhvilloheshin aktivitete në shkallë të gjerë për të përkujtuar shtypjen e protestuesve pro-demokracisë në vitin 1989, gjatë të cilave autoritetet dërguan tanket në zemër të Pekinit, duke vrarë qindra, e ndoshta mijëra njerëz.

Njerëzit mblidheshin çdo vit në Parkun ‘Victoria’ të Hong Kongut për të shënuar përvjetorin e 4 qershorit duke ndezur qirinj.

Në vend të kësaj, këtë të dielë, Parku ‘Victoria’ do të bllokohet nga një ceremoni karnavalesh e organizuar nga grupe pro-Pekinit për të festuar dorëzimin e Hong Kongut nën sundimin kinez në vitin 1997.

Ndërsa qeveria ka arrestuar aktivistë, botues dhe politikanë të opozitës, sipas Ligjit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2020, protestat publike të opozitës pothuajse janë zhdukur.

Në vitet e mëparshme, Richard Tsoi, ish-organizator i ceremonive përkujtimore, kalonte një javë të ngarkuar, duke u përgatitur për ngjarjen dhe duke koordinuar me policinë.

Këtë vit, 55-vjeçari thotë se nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë të dielën.

“Klima aktuale politike në Hong Kong ka ndryshuar shumë. Sigurisht, nuk do të ketë asnjë grumbullim në shkallë të gjerë si kemi pasur gjatë 30 viteve të fundit. Pra, ne duhet të përdorim qasjen tonë. Më duhet të vëzhgoj situatën përpara se të vendos se si dhe ku do ta përkujtoj. Por nuk ka dyshim se nuk do të ketë ndonjë ngjarje masive si më parë.”

Grupi që organizonte më parë ceremoninë përkujtimore në Parkun ‘Victoria’ u shpërbë në vitin 2021, pasi policia e informoi se po hetohej nën akuzën se punonte në emër të grupeve të huaja, akuzë që grupi e mohoi.

Goditja në sheshin Tiananmen la një gjurmë të thellë tek një brez kinezësh me pikëpamje liberale.

Anëtarët e diasporës së Hong Kongut janë ende duke planifikuar aktivitete për përvjetorin. Të paktën rreth 20 të tilla janë planifikuar në shtete të ndryshme për të dielën.

Lit Ming-wai ka qënë ish-drejtuese e një grupi artistik tashmë të shpërbërë pas një shfaqjeje të titulluar “35 maji”, një reference për 4 qershorin.

“Asnjë ceremoni në Parkun ‘Victoria’. Ata nuk lejojnë asnjë demonstrim në vende publike. Banorët e Hong Kongut duhet të gjejnë një mënyrë tjetër. Ndoshta privatisht, ndoshta përmes vetëm një akti të thjeshtë. Pra, duhet të mendojmë për një mënyrë tjetër për të kujtuar”, thotë Lit Ming-wai.

Ajo ka organizuar një riprodhim të shfaqjes origjinale jashtë shtetit dhe muajin e kaluar botoi një libër në Tajvan.

Një grup tajvanez po vë në skenë shfaqjen nga e premtja deri të dielën.

“Ne përpiqemi të kujtojmë nënat e Tiananmenit, sepse pas tridhjetë vjetësh, ato ende jetojnë nën vëzhgim. Do të donim t’u tregonim mbështetjen tonë. Në këtë shfaqje, ne do të donim të tregonim atë që ato duan vërtet. Është shumë e thjeshtë… ato thjesht duan të tregohet respekt për anëtarët e familjeve të tyre. Është vetëm ky akt i thjeshtë, por që është ende i paligjshëm në Kinë”

Tashmë që shfaqja nuk mund të vihet në skenë në Hong Kong, mbajtja e saj gjallë diku tjetër është një formë rezistence kundër sundimit autoritar të Kinës dhe harresës, thotë artistja./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!