“Herët a vonë Rusia do ta ndërpresë gazin,” Von der Leyen, thirrje vendeve të BE të marrin masa

schedule22:43 - 26 Korrik, 2022

schedule 22:43 - 26 Korrik, 2022

Europa duhet të përgatitet për një ndërprerje të plotë të gazit natyror rus “herët a vonë”. Ky është paralajmërimi që ka bërë të martën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një intervistë me Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA).

“Aktualisht, Rusia po furnizon vetëm pjesërisht me gaz natyror, ose aspak, 12 shtete anëtare të BE-së”, tha Von der Leyen.

“Prandaj, Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq: një ndërprerje të plotë të furnizimeve me gaz natyror, herët a vonë”, shtoi ajo.

Presidentja e KE-së u bëri thirrje vendeve anëtare që janë më pak të varura nga furnizimet me gaz natyror rus që të bashkojnë gjithashtu përpjekjet për të kursyer energjinë.

“Edhe [shtetet anëtare], të cilat nuk marrin pothuajse fare gaz natyror nga Rusia, nuk mund të shmangin pasojat e një ndërprerjeje të mundshme të furnizimit në tregun tonë të brendshëm,” tha von der Leyen.

Ekonomitë në Bashkimin Evropian, tha ajo, janë të ndërlidhura ngushtë dhe kriza e gazit natyror do të prekë të gjitha vendet anëtare në një formë ose në një tjetër.

“Prandaj, është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare të reduktojnë konsumin e tyre në mënyrë që të gjithë të kursejnë më shumë gaz dhe ta ndajnë atë me ata anëtarë që do t’i vuajnë më shumë pasojat,” theksoi Presidentja e Komisionit Evropian, duke shtuar se “solidariteti energjetik është një parim bazë i traktateve evropiane.

Komisioni Evropian ka propozuar uljen e konsumit të gazit natyror me 15% nga fundi i shtatorit deri më 31 mars 2023, por po përballet me refuzimin e disa vendeve, si Spanja, Portugalia dhe Greqia. /abcnews.al/