Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja po raporton sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2020.
Ndër të tjera, kreu i SPAK është pyetur edhe për hetimet lidhur me pabarazinë në tendera. Kraja tha se janë duke hetuar raste dhe se i kanë me përparësi.
“Në lidhje me pyetje e parë një nga veprat penale që është e SPAK është edhe shkelja e barazisë se tendera. Janë pjesë e hetimeve, i kemi përparësi,” tha ai.
Kreu i SPAK u pyet gjithashtu edhe për vendimet e heqjen së sekuestros se objekteve të OFL. Lidhur me këtë Kraja u tregua i rezervuar, duke theksuar se nuk ka rast abuzimi.
“Nuk kemi asnjë rast të abuzimeve. Ajo që ka ndodhur me heqje ne sekuestron është normale. Ligji vendos sekueston pas hetimit vendos gjykata për heqjen ose konfiskimin,” deklaroi Kraja.
Lexo edhe: Arben Kraja raporton në KLP: SPAK dhe BKH kanë akses te të dhënat personale
Kraja shpjegoi më tej se çfarë ndodh me pasuritë e konfiskuara të botës së krimit. “Pasuritë janë nga më të ndryshme. Ka një komitet që vendos se çfarë bëhet me pasuritë e konfiskuara. Ka problematika janë prona që i kanë personazhe të botës së krimit. Po shembujt e shteteve të zhvilluara kanë përdorur edhe asgjësimin, por është komiteti që vendos çfarë do bëhet me ato pasuri,” tha ai.
Gjatë raportimit të tij, Kraja tha se është e nevojshme që trupa e prokurorëve të plotësohet sa më shpejt me numrin 20.
“Të plotësohet sa më shpejt numri 20 i prokurorëve. Nëse do kemi këtë numër do e menaxhojmë shumë më mirë. Pak a shumë kemi njëjtën numër rastesh dhe të njëjtën kompetencë të ish prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata vitin e fundit kanë qenë 23 prokurorë dhe ne jemi aktualisht 13. Kemi nevojën e domosdoshme për t’u plotësuar sa më shpejt me numrin 20,” deklaroi Kraja. g.v/abcnews.al