Vijon takimi kokë më kokë mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, në Finlandë. Dy liderët po bisedojnë për një sërë çështjesh me rëndësi. Në një prononcim të shkurtër, Trump dhe Putin vlerësuan njëri-tjetrin.
Ka nisur tashmë takimi i shumëpritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. Samiti mes tyre po zhvillohet në Helsinki të Finlandës. Dy liderët po diskutojnë për shumë çështje, por me rëndësi shikohet përmirësimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-ve. Përpara se të fillonin takimin e tyre ballë për ballë, me dyer të mbyllura, Trump dhe Putin dhanë nga një prononcim të shkurtër për mediat. Presidenti amerikan njoftoi se do të diskutojë me homologun e tij rus për gjithçka.
Donald Trump: “Dua t’iu përgëzoj për organizimin shumë të mirë të Kupës së Botës. Ne duhet të diskutojmë për çdo gjë duke filluar nga tregtia tekn ushtria, programet bërthamore dhe Kina. Mendoj që sëbashku kemi mundësi të mëdha, dhe sinqerisht ne nuk kemi pasur mardhënie të mira vitet e fundit. Po më bëhen rreth 2 vite në detyrë dhe mendoj se ne do të kemi në një mardhënie të jashtëzakonshme”.
Më tej, ai tha se Rusia dhe SHBA posedojnë 90% të arsenalit bërthamor në botë, dhe sipas Trump kjo është një gjë e keqe dhe jo e mirë. Ndërsa Putin nënvizoi rëndësinë e këtij takimi.
Vladimir Putin: “President i dalluar, jam i ngazëllyer t’iu takoj këtu në Finlandë. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me anë të telefoni që prej herës së fundit dhe dukshëm ka ardhur koha që të bisedojmë pasi tani po ndodhin shumë gjëra në botë që ne duhet t’i diskutojmë”.
Ndërkohë, pasi të përfundojnë takimin kokë më kokë, ata do të kenë një drekë pune, me dy delegacionet respektive. Ndërsa në fund do të mbajnë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Samiti mes Trump dhe Putin është shoqëruar me protesta nga qindra manifestues që kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut nga Rusia./abcnews.al