Helmohen disa nxënës të gjimnazit të Shupenzës në Bulqizë

schedule14:05 - 24 Tetor, 2019

schedule 14:05 - 24 Tetor, 2019

10 gjimnaziste të shkollës së Shupenzës përfunduan në spital për shkak se një bashkëmoshatar i tyre hodhi spraj me erë të rëndë në klasë. Policia shoqëroi djalin për ta marrë në pyetje ndërsa po kryhen ekzaminimet për të zbuluar llojin e sprajit që rrezikoi shëndetin e nxënësve.

Pas pushimit të gjatë kur u kthyen në klasë ndjenë aromën e rëndë të sprajit që ishte hedhur nga një gjimnazist i shkollës së mesme të Shupenzës. Njëra prej mësueseve hyri brenda dhe vijoi për rreth një orë mësimin.

Nxënësit e vitit të tretë filluan të kishin probleme me frymëmarrjen dhe marrje mendsh. Ata u gjetën në një gjendje të rënduar nga mësuesja tjetër. 10 prej tyre u transportuan në spitale. 6 morën ndihmën mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe më pas u larguan në shtëpi, ndërsa 4 në Peshkopi.

Një nga vajzat, e cila nuk po shihte përmirësim u dërgua nga Peshkopia në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Drejtori i spitalit të Peshkopisë Artan Bitri tha se rreziku për gjimazistët ka kaluar.

Prindërit dhe të afërmit e nxënësve nuk kuptojnë arsyen pse ka vazhduar mësimi. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje djalin i cili duke luajtur hodhi sprajin me aromë në klasë.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur klasën dhe ka mbledhur të gjitha provat e mundshme për të zbuluar llojin e sprajit që shkaktoi problemet shëndetësore tek gjimnazistët./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!