40 gra punonjëse të një rrobaqepsie në Durrës u paraqitën në spital me shenja helmimi. Disa prej tyre pas marrjes së ndihmës së parë u larguan për në shtëpi. Sipas policisë shkak është bërë çmontimi i një kondicioneri, i cili ka lëshuar gaz duke helmuar punëtorët.
Rreth 40 punonjëse të një rrobaqepsie në Fllakë të Durrësit u shtruan në urgjencën e spitalit me simptoma helmimi. Teksa po punonin, gratë pësuan gjendje të fikëti njëra pas tjetrës, disa prej të cilave edhe me të vjella. Fillimisht punëtoret u trajtuan me serume dhe medikamente të tjera.
“Me frymëmarrje, na u merrshin mendtë. Edhe kollë na vinte”.
“Kisha të vjella, kollë”.
Nëndrejtori i spitalit rajonal të Durrësit, Genti Kavaja, thotë se në spital ndodhen disa prej tyre, kurse dy në gjendje më të rëndë u dërguan në Tiranë. Për të zbuluar shkaqet pacienteve u janë marrë analizat e gjakut.
“U janë marrë analizat dhe dy prej tyre që kanë qenë në një gjendje pak më të rëndëruar se pjesa tjetër do i nisim në spitalin e toksikologjisë që të vazhdohen në ekzaminime më specifike që nuk realizohen dot në spitalin e Durrësit”.
Në njoftimin e policisë së Durrësit për ngjarjen në rrobaqepsi thuhet se disa punëtorë kanë qenë duke çmontuar një kondicioner, i cili ka lëshuar gaz dhe është bërë shkak për helmimin masiv. Ky është rasti i dytë që punonjës të një rrobaqepësie në Durrës përfshihen nga intoksikimi masiv. Pak muaj më parë një rast i ngjashëm u paraqit në një rrobaqepësi në Shkozet të Durrësit./abcnews.al