Situata në Krujë vijon të mbetet problematike si pasojë e helmimit të qytetarëve nga uji i pijshëm. Gjatë pasdites së djeshme është vënë re një shtim i i rasteve ndërsa gjatë natës situata ka qenë pak më e qetë. Gazetari i ABC Ahmet Zani bën me dije se urgjencën e spitalit ndodhen dy pacientë të shtruar.
Njëri prej tyre duke folur për mikrofonin e ABC shprehet se simptomat i kanë nisur prej ditës së hënë. “Dje pata bark. Të hënën më ka nisur e deri më sot. Hera e parë që vij. Kam shkuar në shtëpi më ka dhënë ilaçin. Në lagjen Derdem”, shprehet ai.
Një pjesë e të prekurve nga helmimi pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spital janë dërguar në shtëpi ku po ndjekin një regjim mjekësor të përcaktuar nga mjeku. Megjithatë kjo e bën më të vështirë për përcaktimin e bilancit të numrit total të të prekurve nga helmimi duke qenë se edhe drejtuesit e spitalit apo mjekët nuk kanë dhënë një numër të saktë.
Qyteti i Krujës nuk është furnizuar ende me ujë nga Ujësjellësi i Qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi. Një pjesë e banorëve kanë marrë ujë nga autobotet që qarkullojnë nëpër qytet, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë. m.v/Abcnews.al