Pas incidentit që ndodhi në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, ku u helmuan rreth 60 nxënës dhe pas incidentit tjetër të ndodhur me drejtoreshën e Zyrës Arsimore Vendore në Fier, Znj. Yllka Beci, ka reaguar së fundmi ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Në një postim të bërë në llogarinë e saj në Facebook, ministrja i cilëson ngjarjet në fjalë si të “manipuluara politikisht”. Veç kësaj, ajo shton se ka rënë dakord me Kryetarin e Bashkisë Fier për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme.
Ndërhyrja sipas saj bëhet që “ta sjellim në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit.”
Postimi i plotë:
Sapo u dakordësuam me Kryetarin e Bashkisë Fier për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që ta sjellim në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit.
Nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në atë shkollë prej shumë e shumë vitesh. Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës.
Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore. /abcnews.al/