Helmimi i ish-spiunit, SHBA dëbon 60 diplomatë rusë

schedule15:59 - 26 Mars, 2018

schedule 15:59 - 26 Mars, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar dëbimin e 60 diplomatëve të Rusisë nga territori i Shteteve të Bashkuara. Ky vendim vjen në sajë të helmimit të ish-spiunit rus me substancë kimike, Sergej Skripal, në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, Kremlini mohon çdo përfshirje në ngjarjen e ndodhur në qytetin Salisbury.

Përveç dëbimit të diplomatëve, administrata e Presidentit Trump urdhëroi edhe mbylljen e konsullatës së Rusisë në Seattle, sipas asaj, që raportohet nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters. Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë shkruan:

“Më 4 Mars, Rusia ka përdorur një agjent nervor të një niveli ushtarak në një përpjekje për të vrarë një qytetar të Britanisë së Madhe dhe vajzën e tij në Salisbury”.

“Ky sulm ndaj aleatit tonë Mbretërisë së Bashkuar vendos shumë jetë të pafajshme në rrezik dhe lëndoi rëndë 3 persona, përfshirë një oficer policie”, vijon më tej deklarata.

Departamenti i Shtetit denoncon gjithashtu shkeljen e Konventës të Armëve Kimike dhe ligjet ndërkombëtare. Tek personat e dëbuar përfshihen dhe 12 oficerë të inteligjencës së Rusisë, që operojnë me mision në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kësaj nisme të administratës amerikane i janë bashkuar edhe 14 shtete europiane. Gjermania, Franca, Italia, Ukraina dhe vende të tjera kanë njoftuar se do të dëbojnë diplomatë rusë nga territoret e tyre. Liderët e BE-së u dakordësuan javën e kaluar se Rusia qëndron prapa sulmit ndaj Sergej Skripal dhe vajzës së tij Yulia në jug të Anglisë.

Për këtë arsye u ndërmorën dhe vendimet e fundit si mbështetje për Britaninë dhe si shenjë e qartë ndaj Rusisë që të ndalojë sulme të tilla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!