Londra e ka cilësuar si përverse, kërkesën e Moskës për përfshirje në hetime për rastin e helmimit t ë ish-spiunit Skripal. Kjo deklaratë është bërë në mbledhjen emergjente të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë.
Mbretëria e Bashkuar e ka përshkruar si “perverse” propozimin e Rusisë për një hetim të përbashkët lidhur me helmimin e ish-spiunit rus dhe të bijës në Salisbury muajin e kaluar. Komentet vijnë pasi Londra mori pjesë në një mbledhje emergjence të Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, lidhur me këtë çështje. Rusia, e cila thirri mbledhjen, kërkon nga Britania që të japë prova për akuzat e saj.
Londra është plotësisht e bindur që pas sulmit ndaj Sergej dhe Julia Skripal qëndron Moska. Por Kremlini mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje. Qeveria britanike pretendon se një agjent nervor i nivelit ushtarak i quajtur Noviçok dhe që është zhvilluar nga Rusia është përdorur në sulmin ndaj ish-spiunit me 4 Mars. Incidenti ka shkaktuar një përplasje të madhe diplomatike, me dëbimin e 130 diplomatëve të Rusisë nga Britania, SHBA dhe vende aleate ku përfshihet dhe Shqipëria. Nga ana tjetër edhe Moska ka dëbuar të njëjtin numër diplomatësh të huaj nga vendi.
Në mbledhjen e Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike që zhvillohet në Hagë, Rusia si shtet anëtar i saj kërkon të dijë se çfarë provash ka prezantuar qeveria e Londrës. Ndërsa këta të fundit janë përgjigjur duke thënë: “Propozimi i Rusisë për një hetim të përbashkët për incidentin në Salisbury është pervers. Është një taktikë përçarëse dhe ka për qëllim të dezinformojë në mënyrë që autoritetet e Rusis t’i shpëtojnë pyetjeve që duhet t’iu përgjigjen”.
Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, Brenda kësaj jave do të zbulojë ecurinë e hetimeve të saj të zhvilluar në mënyrë të pavarur sa i përket çështjes “Skripal”. Gjithashtu do të kontrollojë edhe nëse në Rusi nuk janë shkatërruar të gjitha armët kimike./abcnews.al