Helmimi i ish-spiunit, Londra: Nëse e ka bërë Moska, masa të rënda

schedule21:01 - 6 Mars, 2018

schedule 21:01 - 6 Mars, 2018

Helmimi i ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në Salisburi, ka acaruar marrëdhëniet mes Britanisë dhe Rusisë. Londra zyrtare ka deklaruar se nëse provohet përfshirja e Moskës në ngjarje do të marrë masa agresive.

Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar se do të përgjigjet me agresivitet ndaj çdo prove që do të tregojë përfshirjen e Moskës në sulmin ndaj ish-agjentit sekret rus Sergei Skripal. Skripal, 66 vjeç dhe e bija Yulia 33 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, pasi u gjetën pa ndjenja mbrëmjen e së dielës në Salisburi.

Ata dyshohet se kanë rënë në kontakt me një lëndë helmuese, lloji i të cilës nuk është zbuluar ende. Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, ka deklaruar se për momentin nuk e drejton gishtin ndaj askujt, por e ka cilësuar Rusinë një “forcë dashakeqe dhe përçarëse”. Seksioni i Antiterrorit në policinë britanike ka marrë në dorë hetimet mbi ngjarjen, që kujton atë të vitit 2006 me ish-spiunin Aleksander Litvinenko.

Bashkëshortja, vëllai i madh dhe djali i Skripal, ish-kolonel i shërbimeve sekrete ruse, kanë vdekur në dy vitet e fundit në rrethana misterioze. Të afërmit e tij kanë deklaruar për BBC se ai druhej se inteligjenca ruse do t’i vihej pas herët a vonë.

“Do të ishte e gabuar të paragjykoja hetimet, por ju siguroj se nëse dalin prova që tregojnë përfshirjen e shtetit rus, atëherë qeveria e Madhërisë së saj do të përgjigjet si duhet dhe me forcë”, ka deklaruar Johnson përpara ligjvënësve britanikë.

Ai ka shtuar se, nëse lidhja ruse rezulton e vërtetë, atëherë pjesëmarrja e Mbretërisë së Bashkuar në Kupën e Botës Rusi 2018 vështirë të imagjinohet. Nga ana e saj, Moska zyrtare i është përgjigjur deklaratave të Londrës duke i cilësuar ato si një “marrëzi”. Ndërkohë, Kremlini është shprehur i gatshëm të ndihmojë palën britanike në hetimet për rastin e Skripal./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!