Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për helmimin e disa fëmijëve në një kopsht në Gramsh.
Sipas policisë, në spitalin e qytetit janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore 6 fëmijë, të cilët dyshohet se kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit me salmonelë. Ndërkohë, me nisjen e hetimeve janë bërë analizat për të gjithë të vegjlit si dhe për personelin e kopshtit, rezultatet e të cilave do të tregojnë shkakun e helmimit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar Kartelat Klinike për 6 fëmijët e shtruar në spitalin e Gramshit, janë sekuestruar Procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1.
Po ashtu janë marre mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike. Policia njofton gjithashtu se janë bllokuar edhe produktet ushqimore të mbetura në kuzhinën e kopshtit.
Fëmijët janë ndjerë keq pasi kanë konsumuar vaktin e drekës ditën e enjte. Rasti u denoncua nga familjari i një prej fëmijëve të shtruar në spital, pasi sipas rezultatit të analizave të tij rezultoi pozitiv me bakterin salmonelë, ndërsa prindërit e tjerë janë në pritje të daljes së përgjigjeve për analizat që u janë kryer fëmijëve. Mësohet se ushqimi në kopshtin nr.1 mundësohej nëpërmjet shërbimit të jashtëm klering./abcnews.al

