Helmimi i dy nxënëseve në Tushemisht, mjeku pediatër për ABC: Të tjerët pa simptoma

schedule19:54 - 29 Maj, 2021

schedule 19:54 - 29 Maj, 2021

Mjeku pediatër i spitalit të Pogradecit Gëzim Muça ka hedhur poshtë dyshimet e policisë se dy vajzat e mitura në fshatin Tushemisht mund të jenë helmuar nga ushqimi. Ai ka deklaruar për gazetaren e ABC Ledjona Xheladinaj se vajzat kanë pasur dhimbje barku dhe të vjella dhe pasi kanë marrë mjekimin, pas dy orësh kanë dalë nga spitali dhe janë nisur drejt Tiranës.

“U lajmëruam nga 127 për dy fëmijë me probleme shëndetësore në Tushemisht. Fëmijët kishin dhimbje barku të shoqëruara me të vjella. Iu morën analizat, Njërës prej vajzave iu bë lavazh gastrit. Morëm serume dhe ndenjën gati dy orë në trajtimin ambulator dhe më pas u larguan të qeta.

Vajzat kishin qenë në ekskursion. Kishin konsumuar produkte të ndryshme. Kishin qenë në lokal pastaj. Kur kishin konsumuar ushqim në lokal kishin shfaqur dhimbje barku. Dhimbja e barkut mund të vijë nga shkaqe të ndryshme. Mund të jetë një gjendje nga të nxehtit ose rruga që kanë kryer. Nuk mund të themi se janë të helmuar nga ushqimi. Pranë urgjencës kanë ardhur vetëm dy fëmijë. Për momentin e parë përjashtohet helmimi”, shprehet mjeku

Ndërkohë sipas mjekut pjesa tjetër e nxënësve që kanë drekuar bashkë me dy 13-vjeçaret që kanë shfaqur probleme shëndetësore nuk kanë pasur asnjë simptomë duke forcuar dyshimet se përkeqësimi i gjendjes së tyre nuk ka ardhur nga ushqimi. Si shkak mjeku përcakton lodhjen nga rruga ose temperaturat e larta.

Policia njoftoi se 13-vjeçaret K. Sh. dhe Xh. S. kanë qenë në një ekspeditë mësimore nga Tirana dhe janë ndalur për të drekuar ku dhe dyshohet se janë helmuar. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!