“Helenizojmë Himarën”, Goro për Belerin: E di që do humbasë, përgjigjja do i vijë me votë më 14 maj

schedule11:28 - 10 Maj, 2023

schedule 11:28 - 10 Maj, 2023

Kreu aktual i Bashkisë së Himarës, i cili më 14 Maj kërkon një tjetër mandat nën siglën e PS për të drejtuar qytetin, komentoi në studion e Tirana Live deklaratat e kundërshtarit politik në këto zgjedhje, Fredi Beleri për helenizimin e Himarës. Goro tha se Beleri e di që nuk do fitojë Bashkinë e Himarës më14 maj, ndaj edhë arrin në deklarata të tilla.

“Janë  deklaratat e fundit që bën ai në përpjekje për të rritur mundësinë për të fituar bashkinë.  Vijnë në bazë të situatës që ka ai me votuesit këtu. E ka kuptuar që s’mund ta fitojë bashkinë e Himarës.

Kreu i Bashkisë nuk do bëjë politik në himarë, po do jetë një administrator, pavarësisht bindjeve të tyre. Përgjigjja do jetë me votë të fortë kundër këtij kandidati.” u shpreh Goro, ndërsa theksoi se kjo nuk është gara e parë elektorale për Fredi Belerin.

“Beleri nuk është se kandidon për herë të parë, ka kandidatuar edhe në 2015 dhe humbi. Edhe atëherë e njëjta retorikë ishte, edhe në 2019 si i pavarur u skualifikua për arsye të dekriminalizimit.

Tani rikandidon prap, nuk është qëllimi se ka një program të caktuar, por ne e kemi parë e dëgjuar, që ai kërkon atë që shprehu në mediat greke, qytetarët e Himarës e dinë cila është detyra e kreut të Bashkisë. Ndaj do të vijojnë me një kandidat që në radhë të parë ka qytetarët, administrimin e qytetit.”- vijoi ai.

Ndër të tjera Goro tha se Himara ka nevojë për vijimin e projekteve infrastrukturore, por jo vetëm.

“Ajo që unë dua të them është se Himara ka nevojë për vijimin e projekteve infrastrukturore, që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm, ujërat e ndotura, ka nevojë për zgjerimin e investimeve edhe në zona të tjera, në fshatra, që t’i japim zhvillim turizmit të qëndrueshëm. Të rrisim kohën e turizimit edhe në zona të tjera, të zhvillojnë turizmin, agroturizmin, por edhe shërbimet e tjera.

Si edhe menaxhim i integruar i mbetjeve urbane për t’i dhënë turistëve një Himarë të pastër, natyrën e bukur dhe shërbimin”- përfundoi Goro. /abcnews.al