Hekurudha Vorë-Hani i Hotit/ Verdho: Janë nënshkruar marrëveshjet me institucionet financiare. Ja kur do nisë puna

schedule20:31 - 7 Qershor, 2024

schedule 20:31 - 7 Qershor, 2024

Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News tregoi se kur do të nisin punimet për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit.

Ai u shpreh se në fund të vitit do të hapet gara për kompanitë ndërtuese dhe se puna do të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe do të përfundojë në vitin 2029. Pra do të zgjasë katër vjet.

Pjesë nga intervista:

Një tjetër projekt me rëndësi është edhe Vorë-Hani i Hotit. Pak ditë më parë Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe marrëveshjen e huasë më BERZH. Në çfarë faze janë procedurat dhe kur pritet të nise puna në terren?

Ky është një nga projektet më të rëndësishëm të Hekurudhës Shqiptare. Përveç marrëveshjes së huasë me BERZH do të kalojnë nëpër komisione dhe miratimi i Huasë me Bankën Europiane për Investime (BEI) si dhe marrëveshja e Grantit me WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor). Pritet që pas ratifikimit të marrëveshjeve në parlament brenda këtij viti të çelet tenderi ndërkombëtar  dhe në vitin 2025 të nisë puna në terren.

Është përmbyllur tërësisht pjesa e financimit te projektit?

Financimi i projektit është përmbyllur dhe janë firmosur të gjitha marrëveshjet ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të huaj për këtë projekt, i cili ka jë vlerë prej 348 milionë Euro.

Afati i parashikuar i përfundimit të hekurudhës Vorë Hani i Hotit?

Presim ratifikimin e marrëveshjes dhe nga shtatori presim hapjen e tenderit. Në fund të vitit do të hapet gara për kompanitë ndërtuese. Puna do të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe do të përfundojë në vitin 2029. Pra do të zgjasë katër vjet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!