Hekurudha Durres-Rrogozhinë do të rehabilitohet parlamenti i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjeve për financim.
Projekti strategjik parashikon që të rehabilitojë dhe elektrifikojë afërsisht 34 km hekurudhën midis qytetit portual të Durrësit dhe Rrogozhinës, duke përfshirë rindërtimin e ndërtesave të stacioneve. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h.
Punimet parashikohet të përfundojnë në vitin 2028 ndërsa kostoja totale e projektit parashikohet rreth 120.5 milionë euro dhe do të financohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian, që përfshin konkretisht:Një kredi në vlerën prej 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 30 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Investime si dhe një grant në shumën prej 60.5 milionë euro i akorduar nga Bashkimi Evropian përmes Fondit të Investimeve për Ballkanin.
Ky projekt shënon fazën e parë të funksionimit të Korridorit VIII hekurudhor , një nga më të rëndësishmit sa i takon lëvizjes dhe zhvillimit ekonomik në drejtimin Lindje–Perëndim të Europës. Projekti siguron edhe një ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë e zonave nga ku do të kalojë, pasi parashikon qarkullim të rreth 170 mijë udhëtarëve dhe mbi 480 mijë ton mallra në vit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktim të kostove të transportit.
Korridori VIII Hekurudhor përbën një nga boshtet më të rëndësishme të lëvizshmërisë europiane. Ai lidh Bregdetin Adriatik me Detin e Zi, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke krijuar një rrugë alternative efikase për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive tona./abcnews.al

