Hekuran Billa ishte kthyer nga Durrësi, u qëllua para takimit me motrën, zbulohet makina e dytë

schedule10:18 - 12 Qershor, 2020

schedule 10:18 - 12 Qershor, 2020

40-vjeçari Hekuran Billa i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme te Komuna e Parisit ka qenë duke udhëtuar nga Durrësi drejt Tiranës.

Ai ka zgjedhur rrugën e Selitës për t’u futur më pas në zonën e Komunës së Parisit ku do të takohej me të motrën e cila punonte pranë qendrës “Kristal”.

Kjo e fundit është shoqëruar nga policia për të dhënë deklarimet e saj lidhur me komunikimin e fundit që mund të ketë pasur me viktimën.

Billa është qëlluar në momentin kur po parkonte makinën, pasi është mbajtur në vëzhgim edhe nga një tjetër automjet i cili tashmë është identifikuar nga policia.

LEXO EDHE: SKEMA/ Atentatorët i bënë pritë Hekuran Billës, një makinë tjetër e ndoqi për disa minuta

Ndërkohë një tjetër automjet ka ndihmuar autorët që të largohen nga vendngjarja drejt Pezës, ku u gjet e djegur makina e tyre tip Benz.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur gjithsej 15 gëzhoja, 11 prej të cilave kanë prekur viktimën dhe makinën e tij, ndërsa në automjetin e tij janë gjendur edhe disa rroba dhe sende personale të tij.

Pista kryesore e ngjarjes është ajo e hakmarrjes për shkak se në vitin 2006, ai kishte vrarë 22-vjeçarin Prel Marku në Angli ku qëndronte si emigrant, ngjarje për të cilën ka kryer 12 vite burg.

Billa kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Belgjika ku qëndronte me dokumente të rregullta dhe po qëndronte në Durrës tek disa familjarë të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!