Hedhja poshtë e disa akuzave ndaj Trump, prokurorët në Xhorxhia nuk ndalen, do të apelojnë vendimin

schedule08:36 - 24 Maj, 2024

schedule 08:36 - 24 Maj, 2024

Prokurorët në Xhorxhia thanë të enjten se do të apelojnë vendimin e gjykatësit që hedh poshtë disa akuza penale në çështjen kundër kandidatit republikan për president, Donald Trump, dhe disa prej aleatëve të tij, për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020.

Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, e cila mbikëqyr çështjen në fjalë, tha se vendimi i një gjykate apeli të shtetit të Xhorxhias për të shqyrtuar kërkesën e zotit Trump për skualifikimin e zyrës së saj nga çështja, gjithashtu e lejon gjykatën që të shqyrtojë vendime të tjera.

Kjo është një nga katër çështjet penale me të cilat përballet republikani Trump, i cili kandidon përballë Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorja Fani Willis tha se do t’i kërkonte gjykatës së apelit që të anulonte vendimin e marsit të marrë nga gjykatësi Scott McAfee, i cili hodhi poshtë gjashtë akuza, përfshirë tre që rëndonin kundër zotit Trump, që akuzonin të pandehurit për presion ndaj zyrtarëve të Xhorxhias për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Gjykatësi McAfee tha se aktpadia nuk kishte detaje të mjaftueshme për të mbështetur akuzat në fjalë, ndërsa la të paprekur pjesën tjetër të çështjes.

Gjykata e apelit në Xhorxhia po shqyrton kërkesën për largimin e prokurores Willis nga hetimet ndaj zotit Trump dhe tetë të akuzuarve të tjerë, me argumentin se marrëdhënia e saj intime me prokurorin e posaçëm Nathan Wade përbën konflikt interesi. Në muajin mars, gjykatësi i qarkut Fulton, Scott McAfee arriti në përfundimin se nuk kishte konflikt interesi dhe prokurorja Willis mund të vazhdonte të drejtonte hetimet, por ai pranoi kërkesën e zotit Trump dhe të pandehurve të tjerë për ta dërguar çështjen në apel.

 

 

Ish presidenti Trump dhe 14 persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur padi, kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat e ngritura. Katër të pandehur të tjerë kanë pranuar fajësinë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!