Mundimi i një viti nuk i shkoi kot.
Rubin Hebaj e kurorëzoi në mënyrën më të mirë sezonin në elitën e futbollit të Uzbekistanit duke u shpallur lojtari më i mirë.
Futbollisti shqiptar meritoi Topin e Artë, duke u përzgjedhur si më i dalluari, ndonëse skuadra e tij, Andijan, nuk ishte mes pretendentëve për titull, dhe e mbylli Superligën vetëm në vendin e 7-të. Trofeu iu dorëzua në ceremoninë e posaçme në fund të sezonit, ku u ndanë edhe çmimet e tjera.
Shkodrani fitoi 92 pikë duke lënë pas rivalët, ndërsa ishte shpallur futbollisti më I mirë edhe në muajt maj, qershor dhe tetor. Lojtari 25-vjeçar ishte gjithashtu shënuesi I dytë më I mirë I ligës me 12 gola, duke merituar “Këpucën e Argjendtë”.
Hebaj shkoi në Uzbekistan si dy herë kampion i Shqipërisë me Partizanin dhe me Teutën, dhe si kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën e Tetovës. Po ashtu, ai ka fituar Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.
Pritet që për sezonin e ardhshëm të ketë oferta të rëndësishme për të, në mënyrë që sulmuesi shqiptar të luajë në një kampionat më të fortë. /i.m /abcnews.al