Hasi: Te kombëtarja jonë mungonte ambicia, nuk kishim një trajner si De Biasi

schedule17:58 - 3 Prill, 2020

schedule 17:58 - 3 Prill, 2020

Trajneri i njohur shqiptar, Besnik Hasi, është i izoluar në Arabinë Saudite. Strategu i ekipit Al-Raed, foli për Fan Zone në Supersport, ku iu përgjigj pyetjes nëse do të jetë trajner i Shqipërisë, si dhe foli për disa tema, ku më së shumti ra në sy ajo çfarë tha për kombëtaren kuqezi gjatë kohës kur ai luante.

“Në Arabinë Saudite ku jam unë, rregullat janë më të ashpra se në Belgjikë kur isha. Këtu, lëvizja nuk është e lirë, është e kufizuar. Vetëm për të bërë pazarin. Kampionati është i mbyllur si në çdo vend tjetër dhe deri më tani, nuk e dimë kur do të rifillojë sezoni.

Për kombëtaren? Gjithnjë me pyesin për Shqipërinë, pyetja e dytë, pas “si je”. Jam në kontratë me klubin tim, Shqipëria e ka trajnerin dhe gjithçka i mbetet së ardhmes.

Greqia ishte shpallur kampione e Europës pak muaj më parë, ishte ndeshje e madhe. Plus dhe situata politike mes dy shteteve. Por ne, ishim të qetë, siç shihet edhe nga pamjet para, gjatë dhe pas sfidës. Stadiumi ishte mbushur 2 orë para ndeshjes dhe të them të drejtën, kur dola me pa fushën, më kapi një emocion që faktikisht nuk e kisha ndjerë më parë. Ishte hera e parë që stadiumi ynë ishte i tejmbushur kuqezi.

Unë jam nga Kosova, por jemi të gjithë një: Jemi të gjithë shqiptarë! Kosova është një shtet i pavarur dhe ka një flamur të vet, që të gjithë e respektojmë. Por të gjithë jemi kuqezi!

Është e rastësishme, por dje kisha një telefonatë të gjatë me Fagun. Po diskutonim për ndeshjet e së shkuarës, për kualitetet që kishte ekipi ynë i dikurshëm dhe kualitetet që ka kjo gjeneratë, ose më saktë ajo gjeneratë që u kualifikua në Euro2016. Neve na mungonin ambiciet, që është e para.

E dyta: FSHF ka bërë shumë hapa përpara këto vite. Në atë kohë, sistemi i garave ishte më i vështirë se tani, që mund të kualifikohesh më lehtë. Gjithsesi, parësorja ishte ambicia: Fajtor jam unë, Igli (Tare), të gjithë. Luanim në Champions League me klubet tona dhe duhet të kishim më shumë ambicie te kombëtarja. Për kualitet, kemi pasur mjaftueshëm, mirëpo na ka munguar ambicia.

Plus, ne nuk kemi pasur asnjë trajner si De Biasi në atë kohë. Nuk na organizonte njeri, të na menaxhonte të shkonim në një drejtim. Ne fitonim me kampionët e Europës dhe u mposhteshim nga Gjeorgjia. Na ka munguar organizimi, menaxhimi i duhur. Unë personalisht, me të gjithë çunat që kam luajtur te kombëtarja, i kam vëllezër.

Nga Gjakova kam ikur në moshë shumë të re, kur u largova te Dinamo Zagreb në Kroaci. Ishin plot 1000km nga Gjakova. Ishte hera e parë që largohesha nga shtëpia. Që nga ajo kohë, jam larg Gjakovës”, tha Hasi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!