Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Hashim Thaçi do të nisë konsultimet me partitë politike pas dorëheqjes së Haradinaj

schedule19:40 - 25 Korrik, 2019

schedule 19:40 - 25 Korrik, 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar përmes një komunikate se pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë”, theksohet në komunikatë.

Thaçi ka sqaruar se “çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”.



Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Të premten, më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Nga ai moment, spektri politik i ka bërë thirrje presidentit Thaçi të ndërmarrë veprime për tejkalimin e gjendjes, qoftë përmes formimit të qeverisë së re apo shpalljes së zgjedhjeve të reja./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!