Hasani te Rapid në Rumani, sulmuesi kryesor i Tiranës transferohet në Bukuresht

schedule15:12 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 15:12 - 17 Dhjetor, 2023

Superliga humbet një “gjahtar” të vërtetë të golit.

Po ashtu Tirana, skuadra që mbetet pretendente për titull, do të duhet të bëjë pa lojtarin e saj më të mirë.

Florent Hasani do të luajë që nga janari i ardhshëm në Ligën e Parë të Rumanisë, ku do të mbajë veshur fanelën e Rapidit të Bukureshtit.

Sulmuesi 26-vjeçar ka firmosur një kontratë 2.5 vjeçare me klubin e kryeqytetit rumun, ku do të përpiqet të tregojë veten siç bëri në Kosovë, Hungari dhe Shqipëri.

E përditshmja sportive e Bukureshtit, “Gazeta Sporturilor” informon se për Rapid-in ky transferim kushtoi 500 mijë euro.

Gazeta rumune thekson se drejtuesit e Rapid shpresojnë që Hasani të shkëlqejë ashtu si shqiptari tjetër i Kosovës, Albion Rrahmani.

Hasani doli kampion në Kosovë me Trepçën në 2017-ën, dhe fitoi Këpucën e Artë në Superligën shqiptare sezonin e kaluar me 16 gola.

Shpresohet që karriera e tij të kalojë në etapa edhe më të larta, ashtu si më parë Uzuni apo Seferi, ndërsa padyshim që sulmuesi do të ëndërrojë që të fitojë një vend në ekipin kombëtar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!