Hasani lë “thatë” Tiranën, “Bardheblutë” në kërkim të një sulmuesi

schedule14:36 - 28 Dhjetor, 2023

schedule 14:36 - 28 Dhjetor, 2023

Largimi i Florent Hasanit bën që te Tirana të kenë një problematikë më tepër, për shkak se duhet gjetur pasuesi i sulmuesit. Hasani ishte shënuesi më i mirë i Tiranës, ndërkohë që tashmë do e vijojë aventurën e tij te Rapid Bucurest.

“Bardheblutë” janë vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e 26-vjeçarit. Mungesa e alternativave bën që drejtuesit të fokusohen te tregu i huaj, ndonëse preferencë e parë do të ishte një lojtar që e njeh kampionatin shqiptar. Huazimi i një sulmuesi nga një skuadër e huaj nuk është opsioni më i preferuar, pasi nënkampionët duan më tepër të kenë një lojtarë që të jetë opsion për t’u transferuar jashtë vendit, siç mund të ketë qenë rastet e Seferit, Xhixhës e së fundmi Hasanit.

Pikërisht precedentët e sipërpërmendur mund të jenë një avantazh për Tiranën, pasi lojtarët mund ta shohin dhe si një trampolinë kalimin te “Bardheblutë”, për të bërë më pas hapin e madh në karrierë.

Drejtuesit duhet të nxitojnë pasi kampionati është programuar që të rinisë në mesin e janarit dhe koha në dispozicion nuk është e madhe. Tirana ka vuajtur në gjysmën e parë të sezonit vazhdimësinë e rezultateve, por shpresohet që në dritaren dimërore të merkatos të korrigjohet diçka për të minimizuar gabimet e bëra deri më tani. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!